Rilindasit e parë na dhanë alfabetin të dytët na dhanë marifetin
Nga Felix Bilani
Në Republikën e Ndritur të Abetarisë së Përjetshme, ku çdo cep i administratës kishte varur në mur një portret të vetes, qeveria e Rilindjes së Re u mblodh me solemnitet për të festuar ditën e alfabetit. Shkaku i gëzimit ishte madhështor, pas dymbëdhjetë vitesh përpjekjesh titanike, disa prej rilindasve më të zellshëm më në fund kishin mësuar të dallonin shkronjën ‘B’ nga butoni ‘Bëj tenderin gati’ në kompjuterat e ministrive.
Zeqinorët, spiropalianët dhe gjithë fiset e tjera analfabetike kishin mbërritur në ceremoni me krenari të ligjshme, sepse askush në histori nuk kishte treguar kaq përkushtim ndaj Abetares pa e hapur asnjëherë atë. Disa madje betoheshin se ishin shumë afër mrekullisë së madhe, identifikimit të rrokjes së parë, por niveli i përqendrimit ishte kaq i lartë, sa që Mreti vetë një personazh aq i mistershëm sa edhe i panevojshëm thuhej se përjetoi një ngazëllim të pakontrollueshëm nga përparimi i tyre i ngadalshëm, por heroik.
Në skajin e sheshit, grupi ballukistëve, një sekt që besonte se çdo problem i vendit zgjidhej duke i vendosur të gjithë kokë ulur në një radhë, propozoi që kjo ditë të shpallej festë zyrtare. Natyrisht, askush nuk e kuptoi nëse ata festonin alfabetin apo grabitjen, sepse stili i tyre i komunikimit përbëhej kryesisht nga buletinë të gjate ku çdo fjali fillonte me fjalën ‘me transparencë’.
Ndërkohë rilindasit e tjerë, të cilët ishin specializuar në artin e zhdukjes së çdo gjëje që nuk binin dakord me ta. Ato patën idenë gjeniale që alfabeti i vjetër ishte i prapambetur. Pse të mundohesh të mësosh shkronja, kur mund të shpikësh procedura, komisione dhe komitete monitoruese të komisioneve?
Në fund të ceremonisë, kryetari i komitetit për përshpejtimin e përparimit të Shkronjave deklaroi se:
‘Të parët e kombit na dhanë alfabetin. Ne ju dhamë marifetin. Pra, jemi në një vijë të drejtë historike. Thjesht drejtimi është paksa mbrapsht.’
Publiku duartrokiti me përkushtim të admirueshëm, sepse dikush kishte shpërndarë fletushka ku shkruhej ‘Duartrokit ose konsiderohesh analfabet’.
Dhe kështu mbaroi Dita e Alfabetit, duke lënë pas një popull të lodhur, por krenar, që jetonte në një vend ku të gjithë flisnin për shkronjat dhe askush nuk i lexonte.