VIDEO/ Fshati Golimbas një javë në errësirë totale, banorët ndriçohen me qirinj
Prej një jave, fshati Golimbas i Bashkisë Selenicë qëndron pa energji elektrike, duke i lënë banorët në kushte të papranueshme. Mungesa e dritave i ka detyruar familjarët të përdorin qirinj për ndriçim, ndërsa situata, sipas tyre, po bëhet çdo ditë e më e rëndë.
‘Kemi një javë pa energji. Jemi kthyer në kushte mesjetare. Askush nuk është kujtuar për ne’, shprehen banorët e revoltuar.
Ata thonë se u është premtuar ndërhyrje, por deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga autoritetet lokale apo kompania e shpërndarjes së energjisë. Mungesa e energjisë po ndikon rëndë edhe në jetesën e përditshme, sidomos te familjet me të moshuar dhe fëmijë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për rikthimin e energjisë elektrike dhe thonë se janë të gatshëm të protestojnë nëse situata vazhdon të lihet në harresë.