VIDEO/ I moshuari nga Bishani patrullon çdo natë pranë urës së Mifolit: Më është mbytur kopeja e dhenve, nuk mora asnjë lek

Luan Bulla, 70 vjeç, banor i fshatit Bishan në Vlorë, prej ditësh shkon disa herë në ditë te ura e Mifolit për të parë nivelin e ujit.

Ai thotë se frika e përmbytjeve e ka shoqëruar për vite me radhë, pasi zona e tij është goditur shpesh nga ujërat.

‘Po erdhi përmbytja, ne ngelemi si peshku pa ujë. Mallin e nxjerrim në rrugë, hajt se e heqim, por unë ku të shkoj me atë mall?’ shprehet 70-vjeçari.

Bulla tregon se ka humbur dhjetëra krerë bagëti në përmbytjet e mëparshme.

‘Jam përmbytur disa herë. Në 2015 kemi ndenjur 72 orë majë kanalit me kopenë e dhënve. M’u mbytën 35 dele të mëdha dhe 85 të vogla dhe nuk mora asnjë lekë dëmshpërblim. Më dhanë vetëm 2 kuintal misër dhe 50 topa bar.’

Sipas tij, zona pyjore ku dikur gjendeshin shtëpitë e banorëve është shembur në vitet 2015–2019, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme. Problemi më i madh, sipas Bulla-s, mbetet segmenti pranë autostradës.

‘Problemi më i madh është tek autostrada. Vij e rri tërë natën, sepse frika është e madhe,’ thotë ai.