SYRI TV/ Shënohet viktima e parë nga përmbytjet, 75-vjeçarja dyshohet se u mbyt në përrua

SYRI TV

Viktima e parë nga përmbytjet është një 75-vjeçare e cila është gjetur e  pajetë mëngjesin e kësaj të shtune në anë të një përroi në Devoll. E moshuara kishte dal nga banesa, kur u rrëmbye nga rrjedha e ujit. Jo vetëm zona e Devollit, por qindra banorë në Qarkun e Korçës po vuajnë pasojat e përmbytjeve që kanë përfshirë këtë qark, ku dëmet janë të pallogaritshme. 

Në Devoll është shënuar viktima e parë nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut në javën që lamë pas. 75-vjeçarja me inicialet F.H. e cila u denoncua e humbur nga djali I saj të premten është gjetur e pajetë. Gruaja e cila vuante nga demenca dyshohet se është marrë nga rrjedha e ujit sapo kishte dalë nga banesa. Pas kontrolleve të kryera, rreth orës 08:30 të mëngjesit të së shtunës 75-vjeçarja është gjetur në dalje të fshatit, në anë të përroit, pa shenja jete.

Jo vetëm fshatrat e Devollit, por i gjithë Qarku i Korçës është përballur me dëme të konsiderueshme pas reshjeve të ditëve të fundit. Në pamje po ndiqni përmbytjet në zonën e maliqit, ku qindra hektarë dhe banesa ndodhen nën ujë. Shkak për përmbytjen janë bërë dëmtimi I argjinaturave të lumenjve dhe përrenjve.

Në Pogradec, dalja e lumit të Vërdovës nga shtrati ka shkaktuar dëmtime të mëdha. Uji ka depërtuar në brendësi të banesave, duke shkaktuar dëme të mëdha në orendi dhe elektroshtëpiake.

Probleme nga përmbytjet dhe rrëshqitjet janë regjistruar edhe në fshatin Voskop, ku dëme të konsiderueshme për shkak të pranisë së ujit janë shkaktuar edhe në biznese.

Banorët e zonës, bëjnë apel urgjent për ndihmë nga institucionet përgjegjëse, me shpresën se do të marrin mbështetjen e nevojshme për të përballuar pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore.