SYRI TV/ Banorët e Borizanës janë ngritur në protestë, akuza shtetit se gurorja po u shemb shtëpitë

SYRI TV

Banorët e Borizanës janë ngritur në protestë. Ata akuzojnë institucionet se prej 20 vitesh lejojnë një gurore të shkatërrojë shtëpitë e tyre, të devijojë përroin dhe të rrezikojë jetët e 1200 banorëve. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente, duke thënë se shteti, ose duhet të mbyllë guroren ,ose të pranojë se i ka bratistur totalisht prej vitesh.  

Banorët e Borizanës u ngritën në protestë, duke akuzuar qeverinë dhe institucionet lokale për një heshtje që zgjat prej dy dekadash. Shkak i kësaj proteste u bë situatat e 72 orëve të fundit, ku rrethi i Krujës u përfshi nga reshje të dendura, duke shkaktuar përmbytje në disa zona.

Si pasojë e reshjeve të shumta, gurorja që ndodhet vetëm 100 metra larg banesave, sipas banorëve u ka shkatërruar shtëpitë, pronat dhe sigurinë, ndërsa  çdo vit i detyron ata të paguajnë nga xhepi dëmet që ajo shkakton.

Pas reshjeve të fundit, pati një përkeqësim të situatës kur përroi i Maçanës i devijuar  dhe i bllokuar nga gurorja siç pretendojnë banorët shkaktoi përmbysje  të frikshme në rrugë, kopshteve dhe brenda shtëpive. Ata thonë se 1200 banorë rrezikohen çdo ditë nga shpërthimet  dhe nga uji që nuk ndjek më shtigjet e veta natyrore.

Banorët kujtojnë se në vitin 2018 Ministria e Mjedisit kishte premtuar mbylljen e aktivitetit, por vendimi nuk është zbatuar as në vitin 2025.

Për ta, kjo është prova më e qartë se shteti ka zgjedhur të mbrojë kompaninë e jo vet banorët.  Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe zbatim të ligjit, përpara se dëmet të bëhen të pakthyeshme.