SYRI TV/ Dita e Alfabetit, krizë e gjuhës shqipe, humbja nga globalizimi e mospërdorimi

SYRI TV

Në Ditën e Alfabetit, bëhet gjithnjë e më e dukshme se shqipja po humbet nga globalizimi, por edhe nga mospërdorimi korrekt dhe zëvendësimi i pamenduar i fjalëve tona me huazime.

Në Ditën e Alfabetit, ne vazhdojmë të flasim për gjuhën amtare, ndërsa çdo ditë rrekemi ti largohemi asaj. Shqiptarët sot po e humbin shqipen nga globalizimi, por edhe nga një neglizhencë e qartë ndaj përdorimit të saktë të saj. Problemi nis me zëvendësimin e fjalëve. Termat anglisht marrin vendin e fjalëve shqipe edhe kur shqipja i ka fjalët aty për përdorim.

Nga njëra anë të flitet me fjalë të huaja në hapësira mediatike, në shkolla apo qoftë edhe në ligjërimin e përditshëm është kthyer në modë të kohës, ndërsa nga ana tjetër bashkësia e folësve harron se e folura në gjuhë të ndryshme bjerr në mënyrë të menjëhershme gjuhën amtare. Gabimet drejtshkrimore janë bërë standard i padeklaruar, po aq edhe shkurtimet e fjalëve. Mospërdorimi korrekt nuk është vetëm një çështje mosdijeje, por edhe çështje mosinteresi.

Dhe kjo mbetet për gjuhën shqipe kriza e vërtetë. Nuk kemi më frikë nga humbja e gjuhës, sepse nuk e kuptojmë se ajo po humbet. Kur fëmijët rriten duke lexuar gabime, duke dëgjuar shqipe të shtrembër dhe duke parë institucione që s’e përdorin as vetë gjuhën si duhet, atëherë Dita e Alfabetit kthehet në një alarm të përhershëm. Tanimë nuk e kemi luksin të kremtojmë alfabetin, kur nuk kemi vullnetin më elementar për ta shkruar saktë. Dhe nëse vazhdojmë kështu, problemi nuk do të jetë se humbëm disa fjalë, por do të thellohet edhe më tej duke humbur kështu një gjuhë të tërë,  çështje të cilin e ngrenë gjuhëtar, studiues dhe njohës të mirë të shqipes.