VIDEO/ Dëme kolosale në banesat e përmbytura në Dimal, banorët: Na i mori lumi të gjitha...na la baltën

Teksa prurjet e lumit Osum tashmë janë në kuotat e tyre të ulëta dhe lumi është tërhequr në shtratin e tij, dëmet që ka lënë pas në banesat e përmbytura në lagjen "Dafinat" në Bashkinë Dimal janë kolosale për qytetarët e prekur.

Në 5 banesat që u përfshinë nga uji deri në katet e tyre të para dhe të dyta, kanë shkaktuar dëme jo vetëm te familjarët, por edhe në tokat bujqësore dhe pemëtari, ashtu sikurse dhe kafshët shtëpiake që ndodheshin në oborret rreth banesave. 

Edhe pse në ndihmë të këtyre banorëve kanë shkuar forcat zjarrfikëse, me mjete e pompa, balta e lluca ka pushtuar të gjitha banesat. Dëmet e shkaktuara janë të mëdha. Banorët pohojnë se iu është shkatërruar gjithçka,të gjitha elektro-shtëpiaket,orenditë e kuzhinës, mobiliet, pemëtaria, kafshët shtëpiake, të gjitha ua mori lumi. 

Ata i bëjnë thirrje shtetit për ndihmë shtetit, pasi askush nga bashkia apo shtabi i emergjencave sipas banorëve nuk ka ardhur për të parë e përllogaritur dëmet.

Si pasojë e daljes nga shtrati të ujërave të lumit, rreth 13 ha toka bujqësore u përmbytën në fshatrat Arrëz dhe Çiflik të Bashkisë Dimal, ku në disa zona, siç duket edhe nga pamjet,uji është ende prezent.