Pogradec, lumi i Verdovës përmbyti banesa, dëme dhe në fshatin Voskop të Korçës
Qarku i Korçës është përballur me dëme të konsiderueshme pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit, të cilat kanë goditur rëndë banesat dhe magazinat e banorëve në disa zona.
Një prej rasteve të paraqitura është ai i një banori në Pogradec, i cili rrëfen se lumi i Verdovës ka dalë nga shtrati dhe ka shkaktuar shkatërrime të mëdha përgjatë unazës së qytetit.
Uji ka depërtuar në banesën e tij, duke dëmtuar të gjitha elektroshtepiakët. Familja ndodhet në një situatë edhe më të vështirë, pasi kujdeset edhe për një anëtar të sëmurë.
Një tjetër rast vjen nga fshati Voskop në Korçë, ku Tefik Shaholli tregon traumën e natës kur uji vërshoi me shpejtësi në banesë dhe në magazinat e tij. Si rezultat, janë shkaktuar dëme të mëdha në sasi misri dhe gruri të ruajtur aty, duke i shkaktuar familjes humbje të konsiderueshme.
Këto janë vetëm disa nga situatat e rënda me të cilat po përballen banorët e zonës, të cilët bëjnë apel urgjent për ndihmë nga institucionet përgjegjëse, me shpresën se do të marrin mbështetjen e nevojshme për të përballuar pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore.