Dita e Alfabetit/ Partia e Lirisë: Sistemi arsimor është më larg se kurrë nga misioni i tij i vërtet
Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, në Ditën e Alfabetit kritikoi ashpër buxhetin e arsimit për vitin 2026, duke e cilësuar propagandë dhe larg misionit të vërtetë të edukimit. Ajo theksoi se investimet kapitale janë vetëm 0.2–0.3% e PBB-së, ndër më të ulëtat në rajon, ndërsa 40% e shkollave janë ende të ndërtuara para viteve ’90 dhe rrezikojnë sigurinë e fëmijëve.
Haxhiu u ndal edhe te mungesat e theksuara në sistem: kërkim shkencor i financuar me vetëm 0.06% të PBB-së, klasa pa ngrohje, pa laboratorë, shkolla me dy turne, mungesë psikologësh dhe transporti arsimor i premtuar që ende nuk ofrohet.
Deklarata e plote e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu.
Përshëndetje!
Sot, në Ditën e Alfabetit, sistemi ynë arsimor është më larg se kurrë nga misioni i tij i vërtetë: të japë dije , të emancipojë dhe të hapë horizonte për brezat e rinj.
Buxheti i arsimit për vitin 2026 paraqitet me objektiva ambicioze, por kur prek shifrat, zbulon propaganden. Investimet kapitale janë vetëm 0.2–0.3% e PBB, më të ulëtat në rajon. Në një vend ku 40% e shkollave janë ndërtuar para viteve ’90, ku shkollat jane amortizuar dhe rrezikojnë jetën e fëmijëve, ky nivel financimi është thjesht i pamjaftueshëm.
Dita e Alfabetit është dita e dijes, por kërkimi shkencor në Shqipëri financohet me 0.06% të PBB-së, më pak se çdo vend tjetër në Ballkan. Ndërsa Europa investon 2.2% për shkencën, qeveria jonë investon aq pak, saqë universitetet tona mbijetojnë vetëm falë projekteve të huaja.
Në Ditën e Alfabetit duhet të flasim edhe për fëmijët që mësojnë në shkolla pa ngrohje, në klasa të mbingarkuara, pa laboratorë, pa pajisje, pa bibliotekë funksionale. Duhet të flasim për 35 mijë nxënës që ecin kilometra çdo ditë, sepse transporti arsimor i premtuar nuk ofrohet .
Duhet të flasim për faktin se një psikolog mbulon deri në 1,500 nxënës dhe se qindra shkolla funksionojnë me dy turne – një praktikë e vendeve të pazhvilluara, jo e një vendi që pretendon të jetë pjesë e Europës.
Dhe, mbi të gjitha, sot duhet të flasim për një tragjedi kombëtare: 63% e maturantëve duan të largohen nga Shqipëria sepse nuk shohin asnje prespektive per te ardhmen.
Në këtë ditë të shenjtë të kombit, kur përkujtojmë intelektualet shqiptare që ngritën arsim, kulturë dhe identitet kombetar, qeveria sjell një buxhet që i bie ndesh çdo parimi të Rilindjes sonë të vërtetë kombëtare.
Dita e Alfabetit duhet të jetë ditë reflektimi kombëtar. Thirrja jonë sot është e qartë:
Shqipëria ka nevojë për një rilindje të arsimit duke e buxhetuar atë . Duke ringritur figuren e mesuesit si autoritet i edukimit per dijen dhe model i shoqerise. Duhet investim për laboratorë, për kërkim shkencor, për siguri ne shkolla, për dinjitet te mesuesit dhe nxenesit dhe mundesi reale per punesim per të rinjtë e këtij vendi.
Arsimi ka nevojë për një rikonceptim të plotë, për një financim të vërtetë dhe për politika që adresojnë realisht sfidat e sotme; vetëm kështu Shqipëria mund të ndërtojë një sistem arsimor dinjitoz, modern dhe të drejtë, që u jep fëmijëve tanë mundësi të barabarta, të rinjve perspektivë dhe vendit një të ardhme .