VIDEO - Lezha ‘noton’ nën ujë/ 'Autoritetet heshtën' - Situatë apokaliptike, qindra banesa dhe hektarë tokë të përmbytura
Qarku i Lezhës është zgjuar i zhytur nën ujë mëngjesin e kësaj të shtune, 22 nëntor, teksa qindra ha tokë dhe banesa rrethohen nga uji.
Pamjet e ofruara me dron nga korrespondenti i Syri në Lezhë, tregojnë shtëpitë, ku uji ka depërtuar brenda banesave, sikurse edhe toka bujqësore e përmbytur.
Pavarësisht se një situatë e tillë me reshje të dendura të shiut ishte paralajmëruar nga sinoptikanët, me sa duket autoritetet në Lezhë nuk e morën seriozisht, duke bërë që banorëve t’u përmbyten banesat dhe bagëtitë.
Edhe pas mbylljes së argjinaturës pas 48 orësh situtata paraqitet e vështirë në zonat e përmbytura në Barbullojë, Myltë e Rrilë të Lezhës.
Pavarësisht se niveli i ujit ka rënë në disa zona e neë disa të tjera pa pësuar rritje, banorët thonë se kanë pasur dëme të shumta në të mbjella dhe në gjënë e gjallë.
Uji vazhdon të jetë ende prezent por sipas banorëve kishte kohë që kjo situatë nuk ishte përsëritur.
Ata thonë se nuk janë larguar nga zona, pasi nuk kanë ku të shkojnë, por as autoritetet lokale nuk iu kane ardhur në ndihmë ende.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes deri më tani janë llogaritur rreth 220 ha sipërfaqe nën ujë; (90 ha në Zejmen,70 në Shënkollë dhe rreth 60 ha Barbulloje nga dëmtimi i argjinaturës në Tale).