Ekstradohet në Itali shqiptari i arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar 'URA'

Një shtetas shqiptar u ekstradua sot nga Shqipëria drejt Italisë, në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar në kuadër të operacionit antidrogë “URA”, një mega hetim që ka përfshirë tre shtete: Italinë, Shqipërinë dhe Belgjikën.

Arrestimi i shqiptarit, emri i të cilit nuk bëhet i ditur u krye në Durrës më 21 maj 2025, ndërsa ekstradimi i tij në Itali u krye sot, informon gazetarja Alba Kepi për Syrin. 

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Republikës së Barit, shtetasi shqiptar u mor në dorëzim nga autoritetet italiane pas procedurave të kryera nga autoritetet shqiptare dhe u shoqërua nga personel i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë.

Ai mbërriti në aeroportin ndërkombëtar “Fiumicino” të Romës, ku u prit nga punonjës të Drejtorisë së Hetimeve Antimafia (DIA) dhe të Policisë Kufitare (Polaria).

Pas formaliteteve të nevojshme të identifikimit dhe regjistrimit, i ekstraduari u transferua në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Rebibbia në Romë, ku do të mbahet në pritje të procedurave të mëtejshme gjyqësore.

Operacioni “URA” përfaqëson një ndër veprimtaritë më të rëndësishme hetimore të viteve të fundit kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve. Ai është zhvilluar nga: Drejtoria e Hetimeve Antimafia e Barit, Prokuroria e Distriktit Antimafia e Barit, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar (SPAK) Tiranë, me mbështetjen e Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë, raporton Alba Kepi për Syrin.

Hetimet e përbashkëta kanë çuar në identifikimin e disa grupeve kriminale shqiptare, të strukturuara për transportimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës dhe heroinës nga Amerika Latine drejt Evropës, me pikë kalimi kryesore disa porte në Itali, Shqipëri dhe Belgjikë.

Gjatë fazave të mëparshme të operacionit janë ekzekutuar 52 masa sigurie personale dhe pasurore ndaj individëve të konsideruar nga autoritetet si pjesë e rrjeteve të trafikut ndërkombëtar. Personat e përfshirë dyshohen për: trafik ndërkombëtar të substancave narkotike, pastrim parash nëpërmjet bizneseve fiktive në Itali, Shqipëri dhe Belgjikë, shpërdorim detyre, në rastet kur dyshohet për përfshirje të funksionarëve publikë.

Autoritetet theksojnë se masat janë ekzekutuar në bazë të provave të grumbulluara në fazën paraprake të hetimeve./Syri.net/