Tragjedi në Dubai, trajneri i të rinjve ndërron jetë në moshën 36-vjeçare pas një ataku të papritur në zemër

Bota e futbollit në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe ajo spanjolle është tronditur nga një lajm i rëndë: Inaki Cabaleiro, trajner i sektorit të të rinjve të klubit Fursan Hispania Football, ka ndërruar jetë në moshën vetëm 36-vjeçare pas një infarkti të menjëhershëm.

Lajmi u konfirmua nga vetë klubi i Dubait, i themeluar nga ish-‘ylli’ i Real Madridit, Michel Salgado, i cili në rrjetet sociale publikoi një mesazh prekës në kujtim të Cabaleiro-s:

“Sot i themi lamtumirë një miku, një bashkëpunëtori dhe një trajneri, pasioni i të cilit ka lënë një gjurmë të pashlyeshme te lojtarët tanë dhe te e gjithë familja Fursan. Trashëgimia e tij do të mbetet përgjithmonë në çdo fëmijë që ai frymëzoi. Zemrat tona janë me familjen e tij.”

Humbja e Cabaleiro-s ka shkaktuar dhimbje të madhe në komunitetin sportiv të Dubait, ku ai ishte i njohur për përkushtimin, karakterin e qetë dhe mënyrën inspiruese me të cilën punonte me të rinjtë.

Familja Fursan dhe të gjithë ata që e kanë njohur e kujtojnë si një profesionist të shkëlqyer dhe një njeri me vlera të jashtëzakonshme.