‘Vdekja e Njerëzillëkut’
Monolog/ Nga Bes Kallaku
Sot dua të flas për njerëzillëkun.
A ju ka rastisur të hipni në ashensor dhe komshiu, për pesë vite rresht, të mos ju thotë kurrë “mirëmëngjes”? Histori si kjo shohim çdo ditë. Njerëz që mirë se nuk të përshëndesin, por të shohin shtrembër. Gruaja e katit sipër që derdh mbeturinat mbi rrobat e tua. Gjithë autobusi sheh një hajdut xhepash, e askush nuk flet.
Këto janë shenja se njerëzillëku po jep shpirt.
Je në radhë, dhe dikush vjen nga pas, i bërtet shitëses: “jep cigare”, sikur ti të mos ekzistosh. Ecën në trotuar, dikush të përplas me bërryl — jo nga ligësia, por sepse nuk të sheh fare.
Sepse sot, ne nuk shohim më njëri-tjetrin. Nuk duam ta shohim. Nuk kemi problem me sytë, por me mendjen.
Nëse nuk kemi interes te dikush, e shumëzojmë me zero. I themi “o zemra”, “o vllai”, por po pati nevojë për ne… zhdukemi. Shtëpitë tona janë bërë bunkerë. S’marrim njeri, s’shkojmë te njeri. Vetëm dasmat na mbajnë gjallë si “bashkësi”. Të nesërmen: “Ku të kam pa?”
Po lajmet? “Vrau vëllanë për një gardh.” Kur u bëmë kaq të egër? Kur u bë gardhi kaq i rëndësishëm? Kam parë fise që nuk flasin për një copë pronë që edhe po e morën, do e lënë në kumar.
Shikoj grupe njerëzish në kafe, bashkë gjithë ditën — dhe ju garantoj që 90% e tyre brenda vitit do ia fusin njëri-tjetrit pas shpine. Se të rrish bashkë sot nuk do të thotë më asgjë. Sot e hedh poshtë njeriun me të cilin ke kaluar më shumë kohë se me prindërit. E shkatërron, i bën puç në punë, në familje, pa t’u dridhur qerpiku.
E kemi shndërruar vendin në xhungël.
Po si mbërritëm deri këtu?
Ai tipi i ashensorit nuk të thotë “mirëmëngjes” sepse nuk pret as dashuri, as ndihmë, as sjellje njerëzore nga askush — përveç ndonjë servilizëm. Ky vend i ka mësuar njerëzit të mos presin asgjë as për veten, as për fëmijët. Dhe nuk është faji i tij: sistemi, shkolla, prindërit e lodhur, televizioni, politika… të gjitha promovojnë arrogancë, dhunë, mungesë njerëzie.
Në një vend ku motoja e liderëve është “duhet t’ia dhunosh nënën që të thotë babë”, çfarë njerëzillëku pret?
Ne duket sikur jetojmë bashkë nga halli, jo sepse po ndërtojmë një bashkësi.
“Njerëzillëku”, me atë prapashtesën turqisht, po, është fjalë e vjetër. E vjetër, sepse na ka mbajtur gjallë sa herë që shteti dështonte, kur kishte luftë, varfëri, depresion.
Pa njerëzillëk, nuk ka shoqëri — ka vetëm kafshë pune: ca me lek, ca pa lek.
Është një urë në San Francisco, që quhet Golden Bridge.
Është e famshme, sepse aty bëhen shumë vetëvrasje nga dëshpërimi. Në një rast policia rrëmoi mes sendeve personale të një personi që donte të hidhej nga ura.
Gjetën dhe një letër.
I ndjeri kishte shkruar:
“nëse nga dhoma ime, deri te Golden Bridge, vetëm do më buzëqeshë e të më përshëndesë dikush, nuk do të hidhem.”
Ai u hodh.
Kur të dalësh nesër për në punë, mos bëj asgjë. Vetëm përshëndete dhe buzëqeshi dikujt, pa kërkuar asgjë mbrapsht. Dhe do ndjehesh më mirë.
Nëse nuk e ke provuar më parë këtë emocion, ta them unë: është ndjesia që të jep njerëzilliku.