Ndreu sulmon deputetin e PD për mbështetjen ndaj banorëve të përmbytur/ Gjoni: Policit të bashkisë...do t'i dalë boja
Qarku i Lezhës po përballet me një nga situatat më të vështira të viteve të fundit, teksa përmbytjet kanë mbuluar sipërfaqe të mëdha tokash dhe kanë izoluar dhjetëra familje. Në këto kushte të rënduara, deputeti Gjin Gjoni ka qenë një nga zërat më aktivë dhe një nga të pranishmit e përditshëm në terren.
Gjoni ka vizituar zonat e përmbytura në Barbullojë dhe Rrilë, ku ka parë nga afër dëmet e shkaktuara në banesa, bujqësi dhe blegtori. Përmes raportimit të tij nga vendngjarja, ai ka bërë të ditur se situata është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme, duke theksuar se familjet e izoluara kanë nevojë urgjente për ujë të pijshëm, ushqime dhe ndihmë logjistike.
Mirëpo teksa qyteti ka nevojë ndihmë kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, duket se është i zënë duke komentuar deputetin Partisë Demokratike, Gjin Gjoni në vend se të gjejë zgjidhje efektive për qytetaret.
Deklarata e Pjerin Ndreut
Në një video të publikuar më herët, kryebashkiaku Ndreu në vend që të mobilizojë strukturat e bashkisë për një ndërhyrje të menjëhershme dhe vendimtare për vënien nën kontroll të situatës së përmbytjeve, mer kohë për të bërë video me veshje 'punëtori' drejtuar Gjonit.
“Për bedelet kam një përgjigje. Shishja izolohet nga koka, jo nga fundi. Vijnë këtu dhe shikojnë çfarë pune kolosale është bërë… krejt han mish, pinë raki, e shkojnë te ndonjë familje, të çojnë një lekë nga ato të korrupsionit që kanë fituar rrugëve.”- u shpreh Ndreu në videon e tij.
Reagimi i Gjin Gjonit
Pak më vonë, deputeti Gjin Gjoni publikoi një reagim nga terreni, ku u shpreh se situata në Barbullojë dhe Rrilë është rënduar dukshëm, dhe se shumë familje ndodhen nën ujë prej dy ditësh.
Gjoni tha se ndërhyrja për mbylljen e argjinaturës ishte e vonuar dhe se një organizim më i mirë do të kishte minimizuar dëmet. Ai shtoi se banorëve u nevojitet ndihmë e menjëhershme me ujë të pijshëm, ushqime dhe mbështetje për blegtorinë.
Sa i përket deklaratave të Ndreut, Gjoni u përgjigj:
“I bëj thirrje ‘policit’ të Bashkisë Lezhë që të lërë propagandën dhe të angazhohet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Shumë shpejt do t’i dalë boja institucionit që ai drejton.”
Deputeti shtoi se përmbytjet nuk janë vetëm pasojë e kushteve atmosferike, por edhe e problemeve me menaxhimin e lagunës dhe ndërtimeve pa leje në zonë.
Postimi i Gjin Gjonit:
Sot isha sërish në terren dhe pashë nga afër situatën e rënduar që kanë shkaktuar përmbytjet në zonat e Barbullojës dhe Rrilës në Lezhë. Siperfaqe të tëra janë nën ujë dhe niveli vazhdon të rritet, duke izoluar dhjetëra familje dhe shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi dhe blegtori.
Me të drejtë banoret që takova dhe bashkëbisedova me ta, e konsideruan të vonuar ndërhyrjen për mbylljen e argjinaturës.Me më shumë angazhim dhe përgjegjshmëri, përmbytja mund të ishte minimizuar. Nga ana tjetër, familjet e prekura kërkojnë ndihmë urgjente me ujë të pijshëm dhe ushqime, veçanërisht për gjënë e gjallë.
I bëj thirrje "policit" të Bashkisë Lezhë qe ka marrë përsipër edhe drejtorinë e ujrave dhe të kullimeve të lërë propagandën mënjanë dhe të angazhohet për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve, të cilët prej dy ditësh ndodhen nën ujë.
Ndërsa sa i përket korrupsionit dhe abuzimeve, e garantoj se shumë shpejt do t’i dalë boja institucionit që ai drejton.
Edhe ngjarja e ndodhur në ketë zonë nuk eshte teresisht për fatkeqësi natyrore por për shkak të mbushjes dhe bllokimit të lagunës për përfitim toke nën hundën e bekimin e drejtuesve të institucioneve të Lezhës, siç janë dhe ndertimet pa leje në masë.
Banorët e Lezhës meritojnë më shumë kujdes, më shumë përgjegjësi dhe më shumë veprim.
Deklarata e Ndreut:
Për bedelet, siç thotë një shoku imi Ramiz Ballgrovski andej, kam një përgjigje. Shishja izolohet nga koka, jo nga nga fundi. Se ashtu sillen vërdallë kot nëpër ara.
Vijnë këtu dhe shikojnë çfarë pune kolosale është bërë, sepse ka qenë ndërhyrja energjike e bashkisë, e bordit të kullimit, e bordit të bujqësisë, e bordit të emergjencës, e të gjithë kompanive private që operojnë në Lezhë, që sot ka bërë të mundur që kjo situatë të shkojë nën kontroll.
Prandaj bedelet, krejt han mish, pinë raki, e shkojnë te ndonjë familje, të çojnë një lekë nga ato të korrupsionit që kanë fituar rrugëve, se nuk bëjnë keq duke çuar nga një pako ushqimi. Faleminderit.