Nis hetimi për skandalin e tragetit me defekt: Kapiteni shkeli ligjet ndërkombëtare të lundrimit

Skandal i madh është konsideruar nga autoritetet në portin e Durrësit e gjithë procedura e ndjekur nga trageti “Bridge” i linjës Ankona-Durrës, i cili mbërriti mëngjesin e së dielës në portin e Durrësit, 36 orë pasi ishte nisur nga porti italian për shkak të një difekti.

Kapiteneria e portit të Durrësit ka bërë inspektim paraprak të gjendjes teknike të tragetit dhe ka sekuestruar dokumentacionin e mjetit lundrues.

Në pyetje është marrë kapiteni i tragetit “Bridge”, i cili ka shkelur ligjet ndërkombëtare të lundrimit. Burime nga Kapitanieria e Portit bënë me dije se trageti ka pësuar defekt vetëm pak kohë pasi ishte nisur nga porti i Ankonës. Kapiteni ka konstatuar se një prej motorëve të mjetit lundrues ishte jashtë funksionit.

Ai duhet të lajmëronte kapitanerinë e portit të Ankonës dhe autoritetet portuale sipas ligjit dhe duhet të ankoronte mjetin lundrues në një prej porteve me të afërt.

“Por kapiteni i “Bridges”, në bordin e të cilit ndodheshin 807 pasagjerë, lajmëroi vetëm pronarin e kompanisë së lundrimit, prej të cilit mori urdhrin që trageti të mos ndalonte, por të lundronte me shpejtësi të reduktuar drejt Durrësit” bënë me dije burime nga Kapitaneria.

Kreu i përgjithshëm i Kapitanerisë, Paulin Ndreu, në një komunikim për DurrësLajm tha se“Po shikohet a është kryer vepër penale nga ana e kapitenit dhe pronarëve të tragetit. Kemi kërkuar dhe presim raportin e inspektimit të përgjithshëm përfundimtar të gjendjes teknike të anijes përpara se të merret një vendim. Në portin e Durrësit ka mbërritur edhe një grup inspektimi nga standardet. Tragetit ‘Bridge’ mund të mos plotësojë standardet për të udhëtuar. Nga ‘Port State’, kontrolli shtetëror në Itali, presim një raport për gjendjen teknike të tragetit në fjalë për të verifikuar gjendjen teknike të tij në kontrollin e fundit portual. Sipas inspektimit paraprak, trageti pësoi defekt dhe një motor i tij doli jashtë funksionit pas dëmtimit të cilindrave në ujërat italiane. Do dalim me raportin përfundimtar nëse ka elementë të veprës penale që mund të denoncohen në prokurori ose do të merret masë administrative” pohoi Ndreu.

Sipas Ndreut, i cili është një njohës i mirë i ligjeve mbi detin, në çdo rast, edhe nëse çështja do të shkojë në Prokurori, edhe nëse do të vendoset masë administrative mbi kompaninë lundruese, do të bëhet edhe kërkesa për heqjen e licencës së lundrimit.

Kapitaneria e Përgjithshme pret raportin përfundimtar të hetimit për të vendosur se çfarë do të bëhet me tragetin, i cili erdhi nga Ankona në Durrës me vetëm një motor në punë, ndërsa kishte në bord më shumë se 800 pasagjerë që qëndruan për 36 orë në det të hapur.

Trageti mbërriti të dielën rreth orës 08.30 në port, ndërsa ishte nisur në orën 21.30 të ditës së premte nga porti i Ankonës. Pasagjerët, pasi mbërritën, treguan peripecitë e mëdha që hoqën gjatë lundrimit të gjatë.