Përmbytjet nga reshjet e shiut në Devoll, zhduket 75-vjeçarja
Një 75-vjeçare rezulton e zhdukur që prej mëngjesit të kësaj të premte në fshatin Progër të Devollit, i cili është përfshirë nga përmbytjet.
Mësohet se rreth orës 08:30, familjarët kanë denoncuar në polici zhdukjen e shtetases F.H., 75 vjeçe, e cila dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Sipas të afërmve, e moshuara është larguar nga banesa dhe nuk është rikthyer, ndërsa dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e fuqishme e ujit.
Forca të shumta policie dhe ekipe emergjence ndodhen në terren që prej mëngjesit, duke ndihmuar banorët e zonës dhe vijuar kërkimet intensive për gjetjen e 75-vjeçares. Situata në fshat paraqitet e vështirë, pasi niveli i ujit vazhdon të jetë i lartë dhe vështirëson misionin e kërkimit.
Autoritetet u bëjnë apel banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara nga përmbytjet.