SYRI TV/ E gjithë Shqipëria e mbuluar nga uji, dëme të shumta në bujqësi e blegtori
Dëme të shumta janë shkaktuar nga përmbytjet masive që kanë përfshi pjesën më ta madhe të territorit të vendit. Situata më kritike është në qarkun e Korçës, në Sarandë, Librazhd e Lezhë, ku banorët thonë se dëmet më të mëdha janë blegtori e bujqësi. Situatë e rëndë është edhe në qarkun e Lezhës, në Elbasan ku dhjetëra banesa janë të përmbytura nga uji.
Syri TV
Vërshimi i ujit ka shkaktuar dëme të shumta sidomos në bujqësi e blegtori. Në zonën e Maliqit një fermë pulash është shuar tërësisht pasi e gjithë ferma ka qenë e mbuluar me ujë ku për pasojë rreth 700 pula janë mbytur duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar. Pronari i kësaj ferme që ndodhet në fshatin Pirg shprehet së dëmi është i parikuperueshëm ndërsa kërkon ndihmën e shtetit për t’u rikthyer në biznesin e tij.
Probleme të të njëjtës natyrë ka edhe në zonën e Sarandës ku ferma bagëtish janë përmbytur, ndërsa është dashur edhe ndërhyrja e ushtrisë për të shpëtuar disa prej bagëtive të imta.
Ndërkohë një pulari në fshatin Çukë të Sarandës është shuar tërësisht pasi uji ka depërtuar në brendësi duke mbytur një pjesë të konsiderueshme të shpendëve.
Ndërkohë situata e krijuar në Lezhë pas çarjes së argjinaturës së lagunës së Vainit në zonën e Tales është përkeqësuar ndjeshëm. Niveli i ujit dhe sipërfaqja e përmbytur janë rritur në fshatrat Mylte, Barbulloje si dhe në fushën e Treshit dhe të Spitenit.
Banorët shprehen se situata është shumë e vështirë, pasi u janë shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi dhe blegtori.
Ndërkohë në qarkun e Elbasanit, në Librazhd, prurjet e shumta të lumit Shkumbin kanë përmbytur banesën e familjes së Gjyle Murraçit. 75-vjeçarja tregon se niveli i ujit është rritur me shpejtësi duke e detyruar familjen të dalë nga dritarja për të shpëtuar.
Ndërkohë edhe në Qarkun e Fierit dhe të Vlorës ka dhjetëra shtëpi të cila janë mbuluar nga uji ndërsa është dashur evakuimi i banorëve të cilët ndodhen në zonat më të rrezikuara. Banorët në tërësi akuzojnë instance shtetërore të cilat nuk kanë bërë pastrimin e kanaleve kullues dhe nuk kanë vënë në punë pompat e hidrovoreve.