Botërori 2026/ Polemikë në rrjete sociale për posterin e FIFA-s, harrohet Cristiano Ronaldo, por më pas rikthehet

Rreth 200 ditë para startit të Kampionatit Botëror 2026, FIFA ka nisur fushatën promovuese duke publikuar një nga posterat zyrtarë të turneut. Por iniciativa është shoqëruar menjëherë me polemika të mëdha në rrjetet sociale, për shkak të një mungese që tifozët nuk e kanë falur: Cristiano Ronaldo.

Në rrjetet e saj zyrtare, FIFA publikoi një grafikë që paraqiste disa nga lojtarët kryesorë të kombëtareve të kualifikuara drejtpërdrejt në Botëror. Qëllimi ishte promovimi i shortit final të 5 dhjetorit. Megjithatë, tifozët vunë re menjëherë një “gabim” të dukshëm: në përfaqësimin e Portugalisë, në vend të Cristiano Ronaldos ishte vendosur Bruno Fernandes.

Ndërkohë që posterat paraqisnin Lionel Messin për Argjentinën, Kylian Mbappé-në për Francën, Harry Kane për Anglinë dhe Erling Haaland-in për Norvegjinë, mungesa e CR7 u bë shpejt temë kryesore komentesh. Tifozë nga e gjithë bota kritikuan FIFA-n për atë që e konsideruan një mungesë respekti ndaj një prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë.

Akuzat dhe tërheqja e posterit

Presioni i madh në rrjete sociale nuk mbeti pa reagim. Sipas raportimeve të Bolavip, FIFA e hoqi posterin nga të gjitha platformat e saj pa dhënë shpjegime zyrtare. Ndër komentet që qarkullonin, disa tifozë akuzonin organizatën për favorizim ndaj Lionel Messit.

“Nuk e harruan Ronaldon. Editori është tifoz i Messit, njëqind për qind”, shkroi një përdorues. Një tjetër komentonte: “Ronaldo nuk ka nevojë për poster. Posterat kanë nevojë për Ronaldon”.

Pas valës së kritikave, FIFA publikoi versionin e korrigjuar, ku CR7 rikthehej si figura përfaqësuese e Portugalisë.