Florentino Pérez bashkohet me Apple për të sjellë Real Madridin dhe “Bernabéu”-n në ‘metavers’

Real Madridi po përgatitet të hyjë në një epokë të re teknologjike. Siç raporton gazeta spanjolle ‘AS’, presidenti i klubit, Florentino Pérez, ka nisur bashkëpunimin me gjigantin amerikan Apple për një projekt revolucionar: mundësia që tifozët nga e gjithë bota të përjetojnë ndeshjet në “Santiago Bernabéu” përmes metaversit, sikur të ndodheshin fizikisht në stadium.

Pérez e ka konfirmuar aleancën në një intervistë për revistën ‘GQ’, duke shpjeguar ambicien që e ka ndjekur prej vitesh:

“Po punojmë së bashku për një projekt që e kam ëndërruar prej shumë kohësh: t’i lejojmë tifozët të ndiejnë emocionin e ‘Bernabéu’-t sikur të ishin këtu. Do të jetë si t’u hapim dyert e stadiumit të gjithë njerëzve në planet, pa kufij dhe me një cilësi teknologjike që do të ndryshojë botën e sportit”, është shprehur ai.

Real Madridi ka krijuar prej kohësh një departament të specializuar për zhvillimin teknologjik, Drejtoria e Transformimit, që drejton projektet digjitale dhe metaversin, përfshirë iniciativën “RM Next”. Megjithatë, vetë Pérez po udhëheq personalisht bisedimet me Apple për të ndërtuar konceptin “Bernabéu Infinito”, një version virtual të stadiumit ku mund të ulen miliarda tifozë njëkohësisht nga rreshti i parë deri në tribuna.

Për të ofruar këtë përvojë, ndeshjet do të duhet të transmetohen me kamera 360 gradë krahas atyre tradicionale, duke mundësuar që përdoruesi në metavers të ndihet si i ulur pranë një tifozi real, në kohë reale.

Kostot dhe teknologjia

Përvoja e plotë kërkon pajisje të avancuara. ‘Apple Vision’ kushton rreth 3 mijë euro, ndërsa për audio të personalizuar do të nevojiten edhe ‘AirPods’ me teknologji aerohapësinore, që përshtatin tingullin sipas lëvizjeve të kokës dhe drejtimit të aksionit. Kjo do të krijojë një ndjesi të plotë, të afërt me atmosferën reale të stadiumit.

Me këtë projekt, Real Madridi synon të hapë një epokë të re në futboll, ku stadiumi nuk do të ketë më kufij fizikë dhe përjetimi i ndeshjeve do të jetë i disponueshëm për çdokënd, kudo në botë.