Sërish rrëshqitje masive dheu në Qukës-Qafë Plloç,Rama Balluku e përuroi në shtator! Bllokohet lëvizja në 1 korsi

Pa kaluar 2 muaj nga përurimi, rruga e re kombëtare Qukës-Qafë Plloçë, e inauguruar më 5 shtator nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka pësuar sërish dëmtime. Për herë të tretë brenda 2 muajsh u regjistrua një rrëshqitje dherash, duke bllokuar një pjesë të rrugës. 

Rreth orës 14:00 është regjistruar një rrëshqitje e re dheu në aksin Qukës-Qafë Plloç, në degëzimin që devijon drejt Pogradecit.

Një masiv i madh dheu është shkëputur, duke zënë një pjesë të korsive të rrugës dhe duke vështirësuar qarkullimin.

Aktualisht, në vendngjarje ndodhen grupet e punës që po punojnë për të larguar inertet dhe për të rikthyer normalitetin në trafik.

Deri atëherë, qarkullimi do të kryhet vetëm në një korsi.

Banorët dhe drejtuesit e mjeteve apelojnë për kujdes maksimal dhe respektim të sinjalistikës rrugore.

Aksi rrugor Qukës- Qafë Plloçë duket se po kthehet në një simbol të keqmenaxhimit të parave publike. Rruga për të cilën janë shpenzuar 260 milionë euro ndërsa u deshën 14 vite punë për përfundimin e saj ka shfaqur shenja të degradimit që në muajt e parë pas inaugurimit. Rrëshqitja e dherave në këtë aks 2 herë në më pak se 1 muaj hedh dyshime serioze mbi projektimin, mbikëqyrjen dhe cilësinë e ndërtimit.