KORÇË/ Zhduket një grua në mes të përmbytjeve, ushtria në terren për kërkimet

Një grua, e identifikuar si Flora Hoxha, 76-vjeçe raportohet e humbur në një nga fshatrat e Korçës (Proger) pas përmbytjeve të rënda që kanë goditur zonën gjatë orëve të fundit. Sipas informacioneve paraprake të ardhura në redaksinë Syri Televizion, gruaja dyshohet të jetë marrë nga prurjet e ujit, ndërsa familjarët humbën kontaktet me të mbrëmjen e djeshme.

Situata në fshat mbetet e rënduar, me rrugë të bllokuara, toka nën ujë dhe përroi që ka dalë jashtë shtratit, duke krijuar rrezik të madh për banorët.

Forcat e ushtrisë janë futur në terren që në orët e para të mëngjesit, duke nisur kërkimet me mjete të specializuara në zonat me rrezik të lartë dhe përgjatë shtratit të përroit. Operacioni i kërkimit po zhvillohet në kushte tepër të vështira, për shkak të terrenit të rrëshqitshëm dhe nivelit ende të lartë të ujit.

Banorët shprehen të tronditur dhe thonë se prej ditësh kanë kërkuar ndërhyrje më të shpejtë për pastrimin e kanaleve dhe parandalimin e përmbytjeve, por situata u përkeqësua brenda pak orësh, për shkak të intensitetit të reshjeve.

Kërkimet vijojnë në disa perimetra rreth fshatit, ndërsa strukturat në terren ende nuk kanë dhënë një konfirmim zyrtar për gjendjen e gruas së zhdukur.