SYRI TV/ Kryeministri shtyu banorët në vetëgjyqësi, banorët te Parku Autobusave: Endemi dyerve të gjykatave

Banorët e zonës së ish-Parkut të Autobusëve vazhdojnë të qëndrojnë para dyerve të gjykatave, pasi rruga e shkurtër e vetëgjyqësisë, që u rekomandoi Kryeministri Rama, nuk po u garanton marrjen ligjore të banesave. Qytetarët, të cilët folën për SyriTV, deklaruan se kërkojnë të pajisen me dokumente zyrtare për pronësinë e banesave.

Gjatë fushatës elektorale, Kryeministri Rama u premtoi banorëve të rrugës “Ndre Mjeda”, në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve, se do të gjente një mënyrë për t’i mundësuar marrjen e banesave. Megjithatë, pallati vijon të jetë subjekt i një konflikti mes bashkëpronarëve Sino Llanaj dhe Albert Allmuça. Rama u sugjeroi banorëve të shmangin rrugën ligjore dhe, në këtë mënyrë, i orientoi drejt vetëgjyqësisë.

Zgjidhja e propozuar nga Kryeministri duket se nuk ka funksionuar, pasi banorët vazhdojnë të mbeten para dyerve të prokurorisë dhe gjykatave. Megjithëse banesat duhej të ishin marrë nga ta që gjashtë vjet më parë, pas përfundimit të pallatit, ata ende kërkojnë të marrin në posedim pronat për të cilat kanë paguar vite më parë.