Uji mbulon fshatrat e Sarandës/ Banesa të përmbytura, bagëtitë në rrezik
Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar përkeqësim të situatës edhe në zonat e Metoqit dhe Çukës në Sarandë, ku sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore janë përmbytur plotësisht. Siç shihet edhe nga pamjet e mbërriturra në redaksisë e Syri Televizion, uji ka mbuluar stallat dhe ambientet përreth, ndërsa bagëtitë enden të rrezikuara mes përmbytjes.
Në disa banesa uji ka depërtuar brenda, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Banorët raportojnë se prej orëve të para të mëngjesit situata është përkeqësuar, ndërsa niveli i ujit vijon të rritet.
Në fushat e Metoqit dhe Çukës, ku zakonisht zhvillohet aktivitet intensiv bujqësor dhe blegtoral, dëmet janë të dukshme, me serrat, magazinat dhe tokat e mbjella nën ujë.
Ndërkohë, banorët thonë se nuk kanë marrë ende ndihmë dhe se po përballen të vetëm me pasojat e përmbytjes.
Situata mbetet e rënduar dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur dëme të mëtejshme.