'Një zyrtar i marrë i pandehur', Kaso: Numri dy i qeverisë refuzon të japë dorëheqjen...
Në mbledhjen e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deputeti Igli Kaso komentoi pezullimin e zv. kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar situatën si të pazakontë. “Numri dy i qeverisë refuzon të japë dorëheqjen, pavarësisht se është marrë i pandehur dhe i është caktuar masë sigurie personale, pezullim detyre dhe bllokim pasaporte. Një vendimmarrje e tillë prek institucionet dhe nuk i kënaq pritshmëritë e opozitës për llogaridhënie të qeverisë”, tha Kaso.
Ai shtoi se ky zhvillim duhet të motivojë një rishikim të qëndrimit institucional në mbështetje të SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë: “Nga diskutimi i buxhetit, ky moment na jep spunto për të reflektuar mbi rolin tonë në mbështetje të drejtësisë, veçanërisht të Prokurorisë së Posaçme”.
Nga ana tjetër, deputeti Fatmir Xhafaj iu përgjigj duke theksuar se komisioni nuk duhet të merret me akuza, por të respektojë procesin ligjor.
Kaso: Sot mbledhja nuk mund të fillojë në mënyrë të zakonshme pasi jemi në një situatë të pazakontë. Gjendemi para një momenti shumë të rëndësishëm, zv. kryeministrja, numri dy i qeverisë, jo vetëm që është marrë e pandehur dhe është caktuar masë sigurie personale, pezullim detyre dhe bllokim pasaporte. Kjo vendimmarrje na prek dhe ne si Kuvend dhe si komision. Duhet të marrë vëmendjen e duhur, sepse pavarësisht se kënaq pritshmëritë publike që drejtësia të vërë para përgjegjësisë penale një zyrtar të përcaktuar si zyrtar i korruptuar, nga ana tjetër nuk kënaq pritshmëritë e opozitës. Një person i cili është marrë i pandehur refuzon të japë dorëheqjen, të lërë detyrën publike, nuk na lë të kënaqur opozitën që artikulon se përgjegjësia është e kryeministrit, ai duhet të merret i pandehur.
Në këtë moment, diskutimit të buxhetit, është ky fakt që na jep spunto që të rishikojmë qëndrimin tonë institucional në raport me mbështetjen që i japim institucioneve të drejtësisë, SPAK në veçanti.
Xhafaj: Kjo nuk përputhet me rendin e ditës. Më vjen keq që deklarata juaj, nuk jemi këtu për akuza apo për të folur mbi akuzat, ne jemi për të respektuar drejtësinë. Unë konstatoj një gjë pozitive, më në fund ju jeni së paku në linjën e duhur. I thoni SPAK, ndërsa kolegët tuaj Skap. Drejtësia është atje të bëjë punën e vet dhe ne këtu punën tonë. Për mbështetjen, më vjen keq. Prokuroria e Posaçme është e mbështetur si askush tjetër. Përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme kanë qenë këtu dhe kanë deklaruar se nuk kanë nevojë për fonde shtesë. Kur ata nuk kërkojnë t’u japim ne, ne vetëm dalim të shpërndajmë lekë rrugëve. Por kjo nuk është politikë e shëndetshme dhe në interesin e qytetarëve. Unë uroj dhe dëshiroj që ju, siç keni këtë qëndrim, ta keni dhe kur bëhet fjalë për çështje penale që drejtësia formulon për përfaqësuesit e opozitës. Drejtësia me dy standarde nuk e duam ne këtu, as qytetarët, dhe nuk është në përputhje me shtetin e së drejtës.