Problematikat në Qarkun Elbasan pas reshjeve: Gurë në rrugë, prurje të lumenjve dhe mungesa energjie në disa zona
Qarku i Elbasanit vijon të përballet me pasoja nga reshjet e fundit, të cilat kanë shkaktuar disa problematika në infrastrukturë dhe furnizim me energji elektrike.
Në aksin rrugor Elbasan – Qafë Thanë, në segmentin Librazhd – Prrenjas, janë regjistruar rënie gurësh dhe inertesh që kanë vështirësuar qarkullimin në disa vende. Po ashtu, në aksin Gramsh – Moglicë, në zonën e Bratilës, rënie inertesh dhe gurësh kanë ndikuar në kushtet e rrugës.
Në aksin Elbasan – Peqin, në fshatin Paulësh, gjatë natës është bllokuar pjesërisht qarkullimi për shkak të inerteshve dhe rënies së një peme në rrugë. Në të gjitha rastet janë ndërhyrë nga firmat kontraktuese dhe akset rrugore janë hapur për qarkullim.
Sa i përket prurjeve të lumenjve dhe përrenjve, ato janë në kuota mesatare (si përroi Zaranikes dhe Pajunit) dhe mbi mesatare (lumi Shkumbin dhe Devoll), pa paraqitur rrezik për përmbytje apo dalje nga shtrati.
Lumi i Kerpicës në fshatin Kerpicë ka pasur prurje të konsiderueshme dhe ka shkaktuar gërryerje të tokave bujqësore në afërsi të fshatit, duke rrezikuar tokat, por aktualisht nuk paraqitet rrezik për banesat.
Në aspektin e furnizimit me energji elektrike, raportohen mungesa në Njësinë Administrative Stravaj në bashkinë Prrenjas dhe në Njësinë Administrative Mollas të bashkisë Cërrik.
Situata monitorohet nga strukturat përgjegjëse dhe priten ndërhyrje të mëtejshme për stabilizimin e plotë të zonave të prekura.
FOTO E ARDHURA NE REDAKSI