SHBA ndryshon rregullat: Diversiteti, aborti dhe migracioni mund të cilësohen shkelje të të drejtave të njeriut
Administrata e presidentit Donald Trump ka miratuar udhëzime të reja për raportet vjetore të Departamentit të Shtetit mbi të drejtat e njeriut, duke përcaktuar se politikat e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI), subvencionimi i abortit dhe lehtësimi i migracionit masiv nga qeveritë e huaja mund të konsiderohen shkelje të të drejtave të njeriut. Vendimi përbën një ndryshim të madh nga qasja tradicionale e Uashingtonit në vlerësimin e standardeve globale.
Udhëzimet do t’u dërgohen të gjitha ambasadave dhe konsullatave amerikane dhe shënojnë një largim të ndjeshëm nga praktika shumëvjeçare e raportimit, e cila historikisht është fokusuar te abuzime si tortura, ekzekutimet jashtëgjyqësore dhe persekutimi politik. Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, rregullat e reja synojnë të shërbejnë si “mjet për të ndryshuar sjelljen e qeverive”, ndërsa administrata thekson se të drejtat e njeriut burojnë nga “Krijuesi” dhe jo nga shtetet.
Udhëzimet detyrojnë diplomatët amerikanë të kategorizojnë si shkelje praktika si subvencionimi i ndërprerjes së shtatzënisë, procedurat e tranzicionit gjinor për të miturit, lehtësimi i migracionit të parregullt dhe kufizimet ndaj fjalës, veçanërisht ato të bazuara në ligjet europiane kundër gjuhës së urrejtjes. Zëvendësshefi i zëdhënësve, Tommy Pigott, deklaroi se SHBA po synon të ndalojë “ideologjitë shkatërruese” dhe se administrata “nuk do t’i lërë të pakontrolluara” praktikat që, sipas tij, “mutilojnë fëmijët”, cenojnë lirinë e shprehjes dhe diskriminojnë në emër të diversitetit.
Udhëzimet kanë shkaktuar reagime të ashpra nga organizatat e të drejtave të njeriut, të cilat akuzojnë administratën Trump për riformulimin e standardeve ndërkombëtare për motive politike. Uzra Zeya, ish-zëvendëssekretare e Shtetit dhe drejtuese e Human Rights First, tha se qeveria amerikane po “armatos” gjuhën e të drejtave të njeriut dhe po përjashton kategori të cenueshme si gratë, komunitetin LGBTQI+ dhe pakicat etnike e fetare. Sipas saj, udhëzimet e reja shfaqin “armiqësi tronditëse ndaj LGBTQI+ personave” dhe përbëjnë një largim të thellë nga standardet universale të mbrojtjes.
Raporti i këtij viti, i publikuar nga administrata Trump, kishte hequr kapituj të tërë për korrupsionin, persekutimin e komunitetit LGBTQ+ dhe abuzime të tjera tradicionalisht të dokumentuara, duke reduktuar kritikat ndaj aleatëve dhe ashpërsuar vlerësimet për disa demokraci europiane për shkak të legjislacionit kundër gjuhës së urrejtjes.
Me udhëzimet e reja, Departamenti i Shtetit vijon rishikimin më të thellë të politikës amerikane të të drejtave të njeriut në dekada, duke orientuar raportimin zyrtar drejt temave që dominojnë debatin e brendshëm në SHBA.