Korçë/ Reshjet e dendura shkulnin pllakat e lumit, uji hyn në banesa, banorët kalojnë natën jashtë
Situata në fshatin Kamenicë të Bashkisë Korçë është rënduar ndjeshëm pas reshjeve të shumta të orëve të fundit. Pllakat mbrojtëse përgjatë lumit janë shkëputur nga vendi, duke bllokuar rrjedhën dhe duke bërë që uji të dalë në rrugë e të përfshijë banesat e banorëve. Cilësia e dobët e skarpatës së lumit ka kontribuar në shembjen e një pjese të saj, çka ka përkeqësuar edhe më shumë përmbytjen.
Banorët tregojnë se kjo është hera e parë që përballen me një situatë kaq alarmante, ndërsa shprehin frikën se uji mund të hyjë nëpër shtëpi nëse reshjet vazhdojnë.
Ramadan Bezat, banor i zonës, shprehet i indinjuar për cilësinë e punimeve:
“Siç e shikoni, lumi ka gërryer skarpatat që nuk kanë një vit që janë betonuar, me vetëm 5 cm beton. Kanë plasur pllakat tek ura dhe uji na vjen në shtëpi. Jemi të rrezikuar! Rruga është bllokuar, kemi të sëmurë nëpër banesa. Thonë se gjithçka është nën kontroll, por nuk është. Ky investim është bërë me taksat tona dhe ja ku ka përfunduar.”
Ai shton se bizneset pranë lumit janë tashmë të përmbytura dhe i gjithë fshati rrezikohet.
Atlin Ali, një tjetër banor i Kamenicës, thotë se situata është alarmante:
“Ka dy ditë që rrimë jashtë. Po hyn uji në lokale dhe nëse shiu vazhdon deri në mëngjes, do hyjë edhe në banesa. Jemi pa gjumë, të gjithë fshati jashtë. Kjo ka ndodhur sepse skarpata nuk është ndërtuar siç duhet. Lumi nuk është pastruar në 30 vjet – vijnë, parkojnë eskavatorin për foto dhe largohet pa u bërë asgjë.”
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme të autoriteteve për pastrimin e lumit dhe rikonstruksionin e skarpatës, ndërsa frika e një përmbytjeje të madhe i ka detyruar të qëndrojnë në gatishmëri gjatë gjithë natës.