FOTO/ Europol godet një rrjet të madh ndërkombëtar të trafikut të veprave të artit, përfshihet edhe Shqipëria

Europol, në bashkëpunim me autoritetet greke, ka goditur dhe çmontuar një rrjet të madh ndërkombëtar të trafikut të artit. Operacioni u drejtua nga autoritetet bullgare me mbështetjen e Europol-it dhe përfshiu policinë dhe autoritetet gjyqësore të Shqipërisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Greqisë.

Sipas Europol, hetimet vijojnë ende.

Hetimi filloi pas një bastisjeje në një shtëpi në Bullgari në vitin 2020, ku autoritetet sekuestruan rreth 7,000 objekte kulturore me vlerë të jashtëzakonshme historike dhe ekonomike. Këto objekte, kryesisht antikitete greko-romake dhe trakase, janë tejet të çmuara për shkak të unikitetit dhe rëndësisë së tyre historike.

Mungesa e dokumenteve të origjinës për shumë nga objektet ngriti dyshime për marrjen e tyre në mënyrë të paligjshme. Pas sekuestrimit, ato u vendosën në Muzeun Historik Kombëtar të Bullgarisë, ku vazhdon ekzaminimi i tyre.

Rezultatet e operacionit ndërkombëtar

35 arrestime në Bullgari

131 kontrolle në banesa, automjete dhe kasa sigurie

1 në Shqipëri

120 në Bullgari

3 në Francë

3 në Gjermani

4 në Greqi

Autoritetet sekuestruan mbi 3,000 artefakte antike, përfshirë monedha ari e argjendi, me vlerë mbi 100 milionë euro, si edhe vepra arti, armë, dokumente, pajisje elektronike, mbi 50,000 euro para cash dhe ar investimi.

I dyshuari kryesor dyshohet se ka financuar gërmime të paligjshme në Bullgari dhe në vende të tjera të Ballkanit, ku përfshihet edhe Shqipëria. Grabitës lokalë punonin përmes ndërmjetësve që vepronin në emër të tij.

Koleksioni i sekuestruar në vitin 2020 përmbante objekte unike, disa që datojnë deri në 2000 p.e.s., përfshirë maska, pajisje ushtarake, stoli, vazo dhe kupa nga kultura trakase dhe greko-romake.

Shumica e objekteve nuk kishin dokumente origjine, ndërsa disa mbanin certifikata të dyshimta të lëshuara nga shtëpi ankandesh apo galeri ndërkombëtare, kryesisht në Francë, Gjermani, Britani të Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Operacioni ndërkombëtar u zhvillua në orët e para të 19 nëntorit 2025, njëkohësisht në Greqi dhe vende të tjera evropiane. Kontrollet përfshinë banesa, automjete, llogari bankare dhe pasuri.

Gjatë kontrolleve të koordinuara në Athinë, Saronidë, Malesinë dhe Halkidiki, në prani të oficerëve gjyqësorë, arkeologëve dhe ekspertëve të Drejtorisë së Kriminalistikës, nga banesa e të dyshuarit u sekuestruan:

474 artefakte të lashta (periudha helenistike dhe mikena, figura mashkullore/femërore)

4 monedha të lashta

Një ikonë druri e Shën Antonit, e mbuluar nga ligji për antikitete

3 celularë dhe 4 pajisje ruajtjeje (USB)

5 laptopë dhe 8 hard diskë

Një printer 3D

2 peshore precize

Dokumente bankare greke dhe të huaja

Fotografi të shumta të objekteve të lashta

Libra të shumtë për antikitete dhe ankande ndërkombëtare

Dokumente të ndryshme

2 karta bankare

1 automjet

3,200 euro cash