Pas Milanit dhe Interit, Ancelotti mahnitet edhe nga Napoli

Carlo Ancelotti është impresionuar nga Napoli, Milan dhe Inter gjatë kësaj vere, por siguron tifozët se Bayern Munich do ta marrë veten kur të fillojnë ndeshjet e vërteta.

Ka qenë një fazë përgatitore për bavarezët, që humbën si ndaj Milan, Inter, Liverpool dhe Napoli, duke pësuar dy humbje brenda në “Allianz Arena” në Audi Cup pa shënuar asnjë gol të vetëm.

“Nuk jemi të lumtur me situatën aktuale. Por sezoni akoma nuk ka filluar akoma dhe ndeshja e parë e vërtetë luhet të shtunën ndaj Dortmund në Superkupë”, shprehet trajneri italian.

“Kemi një ekip kompetitiv, falë mbërritjeve jemi bërë akoma më të fortë, dhe duhet të harrojmë të shkuarën dhe të fokusohemi te sezoni zyrtar. Nuk kishim balancë, duke pësuar shumë gola dhe pa shënuar. Më kanë impresionuar skuadrat italiane këtë verë. Napoli është një makineri më funksionale se Inter dhe Milan, kështu që ky vit do të jetë kompetitiv në Serie A”, pohoi Ancelotti.