Denoncimi i deputetes së PD: Ujërat e korrupsionit më të shpejtë se ndërtuesit... Investimi në Mat u shkatërrua për dy vite

Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka ngritur alarmin për degradimin e shpejtë të një projekti të financuar me fonde publike në Mat, duke akuzuar institucionet dhe kompaninë zbatuese për keqmenaxhim dhe abuzim. Ajo kërkon verifikim urgjent nga Bashkia Mat për marrjen në dorëzim të projektit “Mbrojtja nga Përroi Urakës” dhe i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë çdo procedurë dhe shpenzim, në mënyrë që, siç u shpreh, “paratë e qytetarëve të mos përfundojnë në ujërat e korrupsionit.”

Postimi i deputetes Denisa Vata:

Për dy vite është shkatërruar.

Dje mbajta fjalën time në Kuvend pikërisht për këto investime me para nga buxheti i shtetit. Shikoni si kanë përfunduar paratë e buxhetit… duket se ujërat e korrupsionit kanë qenë më të shpejtë se ndërtuesit!

A e ka marrë Bashkia Mat në dorëzim këtë projekt që e ka shpallur vetë: “Mbrojtja nga Përroi Urakës, Njësia Administrative Rukaj, Bashkia Mat (Faza 1)”? Fond limit: 50,064,348.15 lekë, nga buxheti i shtetit.

Është e njëjta kompani që ka marrë edhe tenderin për rezervuarin e Shqefnit, dhe shpresojmë mos të ketë fatin e Përroit të Urakës.

Bëj thirrje për SPAK-un: duhet të hetojë menjëherë këto shpenzime dhe të sigurojë që paratë e qytetarëve të mos shkojnë kot!