Gjekmarkaj takim me Komisioneren Kos: Arrestimet politike dhe 'paqja fiskale' e qeverisë rrezikojnë standardet europiane

Nënkryetari i Partisë Demokratike njëkohësisht dhe nënkryetar i Kuvendit , Agron Gjekmarkaj, ka bërë një deklaratë për mediat pas takimit me Komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ku shprehu mirënjohjen e tij dhe të PD-së për mbështetjen e Bashkimit Europian ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë.

Gjekmarkaj u shpreh se PD ka qenë historikisht forca politike që ka mbajtur premtimin “Shqipëria si gjithë Europa”, duke mbështetur integrimin europian si proces kombëtar dhe jo partiak. Ai theksoi se Shqipëria duhet të ecë drejt BE-së bazuar mbi meritokracinë dhe përmbushjen e standardeve.

Sipas tij, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i këtij procesi. Ai rikujtoi se raportet e fundit ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime për zhdukjen e kufirit mes partisë dhe shtetit, si dhe për faktin që figura kyçe të opozitës, përfshirë liderin historik të opozitës Sali Berisha, kanë qenë në arrest gjatë gjithë vitit elektoral, rrethana që kanë ndikuar në konkurrencën politike.

Gjekmarkaj ngriti alarmin edhe për funksionimin e Parlamentit, duke theksuar se në muajt e fundit janë rrëzuar tre kërkesa të opozitës për komisione hetimore, janë refuzuar dy interpelanca dhe janë bllokuar mekanizma të rëndësishëm kushtetues për kontrollin parlamentar. Ai shtoi se Progres-Raporti i BE-së vëren qartë dobësimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë.

Një tjetër pikë shqetësimi ishte votimi i ligjit për të ashtuquajturën “paqe fiskale”. Sipas Gjekmarkajt, ky ligj krijon terren të rrezikshëm për pastrimin e parave të pista dhe lidhet me vërejtjet e raportit të DASH mbi klimën e investimeve në Shqipëri, ku përmenden burime të dyshimta financimi në ndërtimet e mëdha që po ndërtohen në vend. Ai përmendi gjithashtu hetimet dhe raportet nga Italia, Belgjika dhe media ndërkombëtare, që flasin për ndikimin e strukturave kriminale në ekonomi.

Gjekmarkaj paralajmëroi qeverinë të mos e lexojë mbështetjen nga Brukseli si një “leje për më shumë kontroll”, por si një thirrje për më shumë transparencë, demokraci dhe hapje.

“Integrimi europian nuk mund të ndërtohet mbi shkeljen e zgjedhjeve, deformimin e parlamentit dhe pastrimin e parave të dyshimta,” përfundoi ai, duke theksuar vendosmërinë e PD-së për të kontribuar në një proces integrimi të bazuar në standarde dhe institucione të pavarura.

Deklarata e Gjekmarkajt:

Pas takimit me Marta Kos , Komisionere e BE-së për Zgjerimin 

I shpreha  mirënjohjen time dhe të Partisë Demokratike për mbështetjen e palëkundur të Bashkimit Europian ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë. PD ka ardhur në skenën e historisë me premtimin “Shqipëria si gjithë Europa” dhe ka qëndruar gjithmonë besnike këtij parimi.
Ne e mbështesim fuqimisht integrimin europian si një proces kombëtar, jo partiak, dhe kërkojmë që Shqipëria të ecë drejt BE-së sipas parimit të meritokracisë dhe standardeve.

Në themel të këtij procesi qëndrojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Raporti i fundit i evidenton qartë shqetësimet për zhdukjen e kufirit mes partisë dhe shtetit, si dhe faktin se lideri historik i opozitës, Sali Berisha, dhe lider të tjerë kanë  qenë në arrest gjatë gjithë vitit elektoral — një rrethanë që e ka lehtësuar fitoren e kundërshtarëve politikë dhe ka deformuar konkurrencën.

Një tjetër kriter themelor është funksionimi demokratik i Parlamentit.
Deformimi i zgjedhjeve ka sjellë edhe deformimin e vetë Parlamentit.

Në vetëm pak muaj:
– Janë rrëzuar tre kërkesa për komisione hetimore parlamentare;
– Janë refuzuar dy kërkesa për interpelanca;
– Janë bllokuar mjetet kryesore që Kushtetuta i jep opozitës për të ushtruar kontroll mbi ekzekutivin.

Siç e dini edhe nga vërejtjet e Progres-Raportit, kontrolli parlamentar mbi qeverinë në Shqipëri është i dobët, pikërisht sepse opozita nuk lejohet të ushtrojë funksionet që i njeh rregullorja dhe praktika demokratike europiane.
Dua të jem i hapur: ne ende nuk e kemi marrë zyrtarisht raportin, por jemi njohur me të përmes mediave.

Për më tepër, dje Parlamenti votoi ligjin për “paqen fiskale”, i cili sipas nesh krijon terren të rrezikshëm për pastrimin e parave të pista në vend.
Ky shqetësim lidhet drejtpërdrejt me konstatimet e raportit të DASH mbi klimën e investimeve në Shqipëri, ku theksohet se shumë nga kullat që po mbijnë kudo janë me burime të dyshimta financimi.
Këto dyshime i kanë ngritur jo vetëm institucionet amerikane, por edhe prokuroritë e vendeve mike si Italia dhe Belgjika, si dhe media prestigjioze ndërkombëtare, që flasin hapur për ndikimin e segmenteve të krimit të organizuar dhe narkotrafikut në ekonomi.

Në këtë kontekst, mbështetja që vjen nga Brukseli nuk duhet lexuar nga qeveria si leje për të shtuar kontrollin, por si hapësirë e domosdoshme për opozitën, si një paralajmërim i qartë që standardet europiane kërkojnë më shumë demokraci, jo më pak; më shumë transparencë, jo më shumë arrogancë; më shumë hapje, jo më shumë mbyllje.

Ne mbetemi të vendosur që Shqipëria të ecë drejt BE-së përmes standardeve, reformave të vërteta dhe institucioneve të pavarura. Integrimi europian nuk mund të ndërtohet mbi shkeljen e zgjedhjeve, deformimin e parlamentit dhe pastrimin e parave të dyshimta.