SYRI TV/ Nën akuzë për dy afera/ GJKKO pezullon dhe i heq pasaportën Belinda Ballukut
Gjykata e Posaçme ka pezulluar nga detyra dhe i ndalon daljen jashtë vendit zv. Kryeministres Belinda Balluku njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Veç akuzës për aferën 190 milion euro të tunelit të Llogarasë, Ballukut i shtohet edhe akuza për shkelje të barazisë në tendera për procedurën e prokurimit në ndërtimin e lotit të 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Veç Ballukut, me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi, gjyqtari Erion Çela ka caktuar masa edhe për dy vartës të saj, kreun e ARRSH-së Gentian Gjylin dhe atë të OSHEE-së Erald Elezin ndaj të cilëve është ekzekutuar masa e sigurisë arrest në shtëpi.
SPAK e mori të pandehur Belinda Ballukun më 31 tetor të këtij viti për shkelje të barazisë në tendera për aferën e Llogarasë, por pa masë sigurie. Evidentimi gjatë hetimeve të shkeljeve të tjera, që SPAK thotë janë të ngjashme me Llogaranë për tenderin e Unazës, bënë që Prokuroria ti drejtohej GJKKO-së për masa sigurie.
Me sa duket Balluku shihet si kërcënim për prishjen e provave apo ndikimin tek dëshmitarët, duke i ndaluar kryerjen e detyrave qeveritare. E teksa veprimet e numrit dy të qeverisë dhe vartëve të saj për të paracaktuar fituesin e tenderit të Llogarasë janë bërë publike, detaje të reja mësohen sa i takon procedurës në njërin nga 8 lotet e Unazës së Madhe.
Gjatë fazës hetimore ka patur kontrolle të disa banesave që dyshohet se janë përdorur nga Belinda Balluku por që rezultojnë në emër të bashkëpunëtorëve të saj, janë sekuestruar materiale dhe sende me vlerë për hetimin.