Historia nuk na ndihmon as me Ukrainën, as me Suedinë, kuqezinjtë duhet ‘të shkruajnë’ një faqe të re

Shqipëria tashmë e di rrugën që e pret në fazën “play off”: më 26 mars kuqezinjtë do të përballen me Poloninë dhe, nëse do të kualifikohen, pesë ditë më vonë do të kenë përballë fituesin e duelimit Ukrainë–Suedi.

Në historikun e ndeshjeve ndaj këtyre dy kombëtareve, bilanci për Shqipërinë paraqitet i ngjashëm: nga një fitore me secilën.

Përballë Ukrainës, triumfi më i fundit ka ardhur vetëm një vit më parë në Ligën e Kombeve, me një përmbysje të madhe 1-2 në transfertë. Megjithatë, në ndeshjen e kthimit në Tiranë, miqtë na mundën me të njëjtin rezultat. Në total, kuqezinjtë numërojnë 1 fitore, 1 barazim dhe 6 humbje ndaj ukrainasve.

Ndërsa kundër Suedisë, Shqipëria nuk ka arritur asnjë fitore zyrtare. Suksesi i vetëm është ai i miqësores së vitit 2004, ku u triumfua 2-1. Në bilancin e përgjithshëm, nordikët kanë 4 fitore, ndërsa ne kemi arritur 1 barazim. Dueli më i fundit ishte miqësorja e marsit 2024, e cila përfundoi me humbjen 1-0.

Tani mbetet që kuqezinjtë të përgatiten për sfidat vendimtare të pranverës, ku çdo detaj do të ketë rëndësi në rrugën drejt synimit të madh.