Sylvinho pas shortit: E kemi merituar këtë rrugëtim, Polonia na njeh mirë, por edhe ne ata

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, ka reaguar pas shortit të play off-it të Botërorit, që vendosi Shqipërinë përballë Polonisë në gjysmëfinale. Braziliani u shfaq i qetë dhe i kënaqur me mënyrën si skuadra ka ardhur deri në këtë fazë vendimtare.

“Sigurisht që jemi të gjithë shumë të kënaqur. E kemi merituar të jemi këtu. Kemi bërë një rrugëtim shumë të bukur dhe tani është momenti ku luhet futboll. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka, ndaj duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë,” u shpreh Sylvinho.

Trajneri theksoi se dy ekipet njihen mjaft mirë, duke qenë se janë përballur disa herë në vitet e fundit:

“Në këto 4-5 vite kemi luajtur shumë ndeshje kundër Polonisë. Ata na njohin mirë dhe po ashtu edhe ne i njohim ata. Do të jetë një përballje e bukur.”

I pyetur për humbjen 1-0 ndaj polakëve në debutimin e tij si trajner i Shqipërisë, Sylvinho nuk deshi të kthehej pas në kohë:

“Ajo është një histori tjetër. Po flasim për vitin 2023. Futbolli ndryshon shpejt, ekipet ndryshojnë lojtarë, trajnerë, mënyrën e lojës. Edhe skuadra jonë ka ndryshuar shumë. Po, atëherë patëm një humbje të padëshiruar, por tani shkojmë të përgatitur për garën.”

Trajneri kuqezi mbetet i fokusuar te ndeshja dhe te përgatitja maksimale, ndërsa thekson se ekipi beson në mundësinë për të shkuar deri në fund.