Presidenti Duka shpjegon buzëqeshjen pas shortit: Sllovakia më dukej më e përshtatshme, por kur pashë...
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka komentuar shortin e play off-it të Botërorit 2026, ku Shqipëria u “përplas” me Poloninë në gjysmëfinale. Kreu i FSHF-së pranoi se buzëqeshja e tij nuk ishte rastësore dhe se një pjesë e shortit nuk i pëlqente aspak.
“Në fakt, buzëqesha pak sepse për t’ju thënë të vërtetën, çifti i parë fare nuk më pëlqente. Nëse do të duhet të shkonim në Uells për ndeshjen e parë dhe pastaj, në një kualifikim të mundshëm, të përballeshim me Italinë… isha i kënaqur që i eliminuam që në fillim. Prandaj buzëqesha,” u shpreh Duka.
Ai tha se para shortit nuk kishte një preferencë të qartë, duke qenë se të gjitha skuadrat janë të forta, por mënyra si u formuan çiftet i krijoi një dëshirë të vetme:
“Kur pashë si u vendos shorti, doja vetëm që Italia dhe Uellsi të mos na binin neve. Jam i gëzuar që jemi në playoff, është një sukses i madh për futbollin shqiptar. Falënderoj futbollistët dhe stafin që na çuan deri këtu. Polonia është kundërshtar i fortë, por të forta janë të gjitha. Ne kemi një ekip të mirë dhe do të luftojmë fort në Varshavë.”
Duka kujtoi se rezultatet nuk përcaktohen nga shorti:
“Ndeshjet nuk fitohen e as humben në letër. Në shortin e grupeve ishim të mërzitur, por në fund doli pozitiv dhe u renditëm të dytët. Çdo gjë vendoset në fushë. Shpresoj që futbollistët të jenë në formën më të mirë, pa mungesa, dhe të provojmë gjithçka pa lënë pishman.”
Sa i përket kundërshtarëve të mundshëm, Duka pranoi se Sllovakia do t’i dukej ndoshta më e favorshme:
“Nëse do të më pyesnit për preferencë, unë dhe Fatjoni do donim Sllovakinë. Babamusta donte Uellsin. Unë nuk e doja fare. Nuk jemi përshtatur mirë me ekipet britanike.”
Presidenti i FSHF-së nuk harroi edhe Kosovën, duke shprehur bindjen se Dardanët kanë mundësi reale të arrijnë finalen e rrugës së tyre:
“Kosova është ekip shumë i mirë, në një moment shumë të mirë. Uroj të jetë kështu deri në mars. Ka të gjitha shanset të kalojë Sllovakinë dhe të luajë një finale të madhe në Prishtinë ndaj Rumanisë ose Turqisë. Për mua asgjë nuk është e sigurt. Kosova ka mundësi reale të shkojë në Botëror.”