Një tjetër aferë/ SPAK ka nisur hetimet dhe për tenderin e segmentit të Astirit tek Unazën e Madhe! 3 skenaret për Ramën

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një procedim të ri penal për një nga veprat më të debatuara publike, segmentin e zonës së Astirit në Unazën e Madhe të Tiranës. Burime të besueshme të cituara nga gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj  bëjnë me dije se hetimet, të nisura prej rreth një jave, përfshijnë akuza të rënda si korrupsion, shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, duke vënë nën hetim zyrtarë të lartë shtetërorë.

Kjo çështje rikthehet në vëmendje pas kallëzimit penal të bërë nga banorët e zonës në vitin 2019, të cilët protestuan për muaj të tërë kundër shembjes së banesave të tyre.

Kallëzimi, i cili përfshinte emra duke nisur nga kreu i qeverisë e deri te kryetari i bashkisë, fillimisht u hetua nga Prokuroria e Tiranës, e cila vendosi pushimin e çështjes. Megjithatë, Gjykata konstatoi moskompetencën dhe ia kaloi dosjen SPAK-ut, për shkak të funksioneve të larta të subjekteve të kallëzuara.

Veprat penale nën hetim janë të shumta, duke përfshirë korrupsionin pasiv, shpërdorimin e detyrës dhe shkeljen e të drejtave të qytetarëve, lidhur me mënyrën se si ata u nxorën nga banesat e tyre pa kompensim të drejtë.

Ky procedim penal bëhet i dyti që lidhet me ndarjen e Unazës në lote, një praktikë e denoncuar shpesh për fryrje faturash dhe mbivlerësim të punimeve. Ndarja në 8 lote e këtij segmenti rrugor, dy prej të cilëve tashmë janë nën hetim, i dha ministres nofkën "Lubi Loti", e përdorur publikisht për herë të parë nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Nuk dihet nëse për këtë lot, mes emrave të zyrtarëve të lartë është dhe Belinda Balluku e cila dihet se është nën akuzë të paktën për tenderin e Lotit 4

Skenaret

Nisja e këtij hetimi vjen në një moment delikat për ministren Balluku, ndaj së cilës SPAK ka caktuar masën “pezullim nga detyra” për një tjetër çështje. Tashmë, përpara saj dhe kryeministrit Edi Rama shtrohen tre skenarë: dorëheqja vullnetare e ministres, pezullimi i saj nga detyra nga ana e kryeministrit, ose shkarkimi.

Pezullimi është një vendim i pakundërshtueshëm dhe rrjedhojë direkte e vendimit të gjykatës, duke qenë një masë e përkohshme. Nga ana tjetër, shkarkimi do të ishte një akt politik përfundimtar, vendimmarrje e cila i takon kryeministrit Rama.

Pavarësisht marrëdhënies së afërt të bashkëpunimit, kryeministri Rama është ligjërisht i detyruar të zbatojë vendimin e gjykatës për pezullimin e ministres Balluku. Hapja e dosjes së Astirit shton presionin mbi qeverinë dhe thellon debatin publik mbi aferat korruptive në projektet e mëdha infrastrukturore.

Raportimi i Fatjon Gjinajt

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një tjetër procedim penal lidhur me një tjetër rast të denoncuar si aferë. Bëhet fjalë për Unazën e Madhe të Tiranës, segmentin e zonës së Astirit. Kujtojmë protestat e forta që kanë bërë banorët në atë kohë. Ata iu drejtuan Prokurorisë së Tiranës në 2019 me një kallëzim penal, ku ishin të kallëzuar që nga kreu i qeverisë, kryetari i bashkisë e të tjerë me radhë.

Kjo përkon me kohën kur Belinda Balluku është bërë ministre, por duhet verifikuar nëse pjesë e kallëzimit ka qenë edhe Belinda Balluku.

Prokuroria e Tiranës vendosi ta pushojë çështjen por gjykata konstatoi moskompetencën dhe ia kaloi dosjen Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për shkak të subjekteve dhe veprave penale që ishin kallëzuar.

Burime shumë të besueshme pranë organit special SPAK i konfirmuan Syri Televizion se ë është regjistruar prej rreth një jave një procedim penal lidhur me unazën e Tiranës dhe përkatësisht segmentin pranë zonës së Astirit. Veprat penale për të cilat janë akuzuar zyrtarët e lartë shtetërorë kanë të bëjnë me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës, shkeljes së barazisë në tendera, por edhe me shkeljen e të drejtave të qytetarëve ku në kallëzim përfshihen edhe argumente se si janë nxjerrë nga banesat e tyre në mënyrë të paligjshme deri tek kompensimi i familjeve të dëmtuara nga ndërtimi i këtij segmenti rrugor.

E thashë në krye të herës, presim ta verifikojmë nëse ë është pjesë e listës së emrave të zyrtarëve të lartë edhe Belinda Balluku apo jo.

Në rast se kjo provohet, do të ishte një tjetër çështje për të cilën ka një procedim penal të hapur. Nga njëra anë kjo, ndërkohë që nga ana tjetër mund të konfirmojë se procedimi penal është regjistruar edhe për këtë segment rrugor dhe procedurën qoftë të tenderimit, por qoftë edhe të pretendimeve të banorëve që denoncojnë zyrtarët e lartë për abuzime, shkelje të rënda deri tek veprat që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.

Pra, në total bëhen dy procedime penale që kanë të bëjnë me një segment në tërësi që është ndërtimi i unazës së Tiranës, i ndarë në tetë lote dhe kujtojmë jo për ironi, por për fakt që zonja Balluku për shkak të procedurave koncesionare dhe zhvillimeve të projekteve rrugore kryesisht që ndaheshin me loti, mori të ashtuquajturin nofkën që u njoh, u artikulua publikisht për herë të parë nga kreu i opozitës Ali Berisha si Lubi Loti pikërisht për faktin se tendrat dhe procedurat e denoncuara shpesh për fryrje të faturave, të kontratave, për mbivlerësimin e punimeve për metër katror rrugor, duke i ndarë në disa lote, sikurse ndodhi me unazën e Tiranës e ndarë në tetë të tilla, dy prej të cilave ka procedime penale. Për njërin të paktën mund të konfirmoj se ka akuzë edhe për Belinda Ballukun dhe bëhet fjalë për lotin katër.

Gazetari: Ndërkohë tre janë rrugët apo veprimet që pritet të ndodhin ditën e sotme. Pra, është dorëheqja e zonjës Balluku, pezullimi nga ana e kryeministrit, apo edhe shkarkimi. Pra janë të treja si mundësi që mund të ndodhin.

Fatjon Gjinaj: Natyrisht nëse flasim për pezullim, po është e vërtetë, por për t'i sqaruar secilën prej tyre. Nëse flasim për pezullim, pra një vendim pezullimi është marrë dhe është i pakundërshtueshëm për aq kohë sa nuk shprehet një hallkë e dytë e gjyqësorit sikurse është gjykata e apelit antikorrupsion.

Në të njëjtën kohë, nëse Balluku preferon, natyrisht është edhe në vendimmarrjen e Ramës që të zbatojnë masën e pezullimit, lind e drejta që kjo masë të jetë e përkohshme për aq kohë sa nuk ka një masë tjetër nga gjykata, në rastin konkret. Që do të thotë se nëse kjo masë hiqet në një ditë të caktuar, Balluku mund të rikthehet në funksionin e saj. Por nga ana tjetër, nëse ky opsion rrëzohet nga një tjetër vendimmarrje që e ka në dorë Balluku dhe Rama, atë të shkarkimit, bëhet i parevokueshëm largimi i saj nga nga detyra dhe në mënyrë përfundimtare, të paktën në këto rrethana dhe për afate kohore të caktuara. Ndërkohë që Rama ka kompetencën si kreu i ekzekutivit ta shkarkojë Ballukun.

Natyrisht, nuk është një vendimmarrje e thjeshtë, është bashkëpunëtorja e tij më e afërt. Është artikuluar shpesh në media dhe opinionin publik, por edhe në arenën politike, që marrëdhënia mes tyre, të paktën qëkurse u dolën informacionet e para për marrjen e saj të pandehur, nuk janë në rrethana dhe kushtet më të mira të mundshme dhe ndoshta do të bënte problematikë edhe për vetë kërcënim, nëse mund ta them, edhe për vetë ekzekutivin dhe shefin e saj, një shkarkim pa miratimin e vetë Ballukut. Ndërkohë që Rama po, mund të dhe është i detyruar të paktën dhe së paku të ekzekutojë vendimin e gjykatës dhe t'i komunikojë Ballukut që është e pezulluar dhe nuk ka rrugë tjetër.