Shiste drogë në Shëngjin, arrestohet 26-vjeçari
Një 26-vjeçar në Shëngjin është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi u kap duke shitur lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, policia sekuestroi disa doza kanabisi.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë kontrollet e Policisë së Lezhës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve. Një 26-vjeçar është vënë në pranga në Shëngjin, pasi u kap duke shitur lëndë narkotike.
Sipas informacionit zyrtar, gjatë patrullimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe specialistëve për Hetimin e Narkotikëve, u lokalizua shtetasi R. L., 26 vjeç, banues në Shëngjin, i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike në këtë zonë.
Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis. Kontrollet vijuan edhe në banesën e tij, ku u gjet një tjetër sasi kanabisi, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, i riu u arrestua në flagrancë për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve". Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për procedime të mëtejshme.
Policia e Lezhës njofton se kontrollet do të vijojnë me intensitet të shtuar për të parandaluar dhe goditur shpërndarjen e lëndëve narkotike në zonat turistike dhe urbane.