Interi humbet Dumfries për derbin, Carlos Augusto në të djathtë, Zielinski titullar që nga minuta e parë

Interi pritet të zbresë në fushë pa Denzel Dumfries në derbin e së dielës, meqenëse gjasat që holandezi të rikuperohet në kohë janë minimale. Futbollisti, i cili mungoi edhe në dy ndeshjet e fundit të Holandës ndaj Polonisë dhe Lituanisë, vazhdon të vuajë dhimbjet në kyçin e këmbës pas dëmtimit të pësuar në takimin kundër Lazios në “San Siro”, pas një përplasjeje me Mattia Zaccagni-n. Dhimbjet nuk janë zhdukur dhe gjithçka tregon se ai do të detyrohet ta ndjekë derbin ndaj Milanit nga tribuna.

Stafi mjekësor i zikaltërve do të përpiqet ta rikthejë në dispozicion të trajnerit Cristian Chivu për sfidën e Champions League të së mërkurës, më 26 nëntor, në fushën e Atletico Madridit. Në mungesën e tij, krahun e djathtë do ta mbajë Carlos Augusto, ndërsa në krahun e majtë do të luajë Federico Dimarco.

Ndërkohë, Davide Frattesi ka publikuar në Instagram një video të kyçit të këmbës së Dumfries, vetëm tri ditë para derbit, duke treguar qartë shkallën e problemit që po e pengon holandezin.

Nga ana tjetër, Henrikh Mkhitaryan mbetet ende jashtë dhe mund të rikthehet vetëm për sfidën në fushën e Pisës, më 30 nëntor. Ka pak shpresë për Matteo Darmian, i cili po tenton rikuperimin e fundit.

Alarmi megjithatë ka kaluar për Piotr Zielinskin. Mesfushori polak u kthye i lodhur nga impenjimet me Poloninë, ku luajti titullar në të dyja ndeshjet kundër Holandës dhe Maltës, duke shënuar edhe golin vendimtar ndaj maltezëve, por në rikthimin në Appiano Gentile ka punuar rregullisht me skuadrën. Ai shihet i favorizuar ndaj Luka Sucic për një vend titullari në mesfushë, përkrah Hakan Calhanoglu në regji dhe Nicolo Barellës.

Në mbrojtje, para portierit Yann Sommer, do të jenë Manuel Akanji, gati për derbin e tij të parë të Milanos, së bashku me Francesco Acerbin dhe Alessandro Bastonin.

Në sulm, Chivu do të mbështetet te dyshja Lautaro Martinez – Marcus Thuram, me synimin për t’u rikthyer te fitorja në derbi pas pesë përballjesh pa sukses. Tandemi “ThuLa” ribashkohet pas 54 ditësh: hera e fundit që kanë luajtur bashkë nga minuta e parë ishte më 30 shtator, para se Thuram të dëmtohej ndaj Slavia Pragës. Francezi është aktivizuar në dy ndeshjet e fundit me disa minuta, dhe tani është gati të rikthehet pranë “binjakut” të tij në sulm.