Presidentja Vjosa Osmani shpërndan Kuvendin e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar vendimin për shpërndarje të Kuvendit pas takimit me liderët e partive

Veprimi i Osmanit vjen pasi mandatari i dytë, Glauk Konjufca, dështoi në formimin e qeverisë.

Këto deklarata i ka bërë Faton Peci nga partia Guxo.

Bashkëkryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se kanë propozuar 28 dhjetorin si datë ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

Sipas Pecit, diskutimi ka qenë mes datës 21 dhe 28. Por siç thotë ai, 28 dhjetori është datë më e mirë për shkak se KQZ-ja ka mundësi të përgatitet më mirë. 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë pak para nisjes së takimit se partia e tij preferon datën 21 dhjetor për mbajtje të zgjedhjeve të reja.

Ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i ka përmendur dy data: 21 dhjetor ose 11 janar.

Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Partitë më të mëdha politike shqiptare nuk kanë arritur konsensus për një mori çështjesh prej mbajtjes së procesit zgjedhor dhe për pasojë proceset janë zvarritur deri më tani.

Vendi tani mund të shkojë në zgjedhje të reja duke mos miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro, buxhetin e vitit të ardhshëm të shtetit, buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe buxhetin për tri komuna - Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.

Sipas Kushtetutës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja Osmani duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.