Presidenti i FIFA-s, Infantino: Mezi po pres Kupën e Botës së gjashtë për Messin

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka vlerësuar lart figurën e Lionel Messit, duke e cilësuar ‘yllin’ e Inter Miamit dhe kombëtares së Argjentinës si një idhull të njohur dhe të respektuar në Shtetet e Bashkuara.

Infantino u shpreh se Argjentina, kampione në fuqi e botës dhe përfaqësuesja e parë e CONMEBOL-it që siguron kualifikimin në Botërorin 2026, po ëndërron me të drejtë fitimin e ‘yllit’ të katërt.

“Është e vështirë të mbash një nivel kaq të lartë për një periudhë të gjatë, dhe Argjentina ia ka dalë. Urime të gjithëve, skuadrës, trajnerit Lionel Scalonit dhe presidentit të Federatës Argjentinase të Futbollit, Chiqui Tapia,” tha ai.

Infantino shtoi se momenti që pret më shumë është pjesëmarrja e Leo Messit në Botërorin e tij të gjashtë.

“Mezi pres ta shoh Leo Messin në Kupën e tij të gjashtë të Botës. Një ngjarje e paprecedentë, që vetëm sa e thekson karakterin historik të turneut të vitit të ardhshëm,” nënvizoi presidenti i FIFA-s.

Ai shtoi se ‘yje’ si Messi kanë pasur një ndikim vendimtar në zhvillimin e futbollit në SHBA, një vend ku sportet amerikane si futbolli amerikan, bejzbolli dhe basketbolli kanë dominim të madh.

“Messi është një idhull, i respektuar në SHBA. Ai është një ambasador i vërtetë i futbollit, që vazhdon të thyejë rekorde në MLS,” përfundoi Infantino.