Mallra të kontrabanduara nga Greqia shiteshin në Tiranë, arrestohet 49-vjeçarja
Në Yzberish është zbuluar një dyqan që shiste veshje të dyshuara si të vjedhura në Greqi dhe të futura në Shqipëri përmes kontrabandës.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe bllokuar një sasi e konsiderueshme mallrash pa dokumentacion doganor apo fatura blerjeje. Administratorja e dyqanit, 49-vjeçares E. K., është arrestuar, ndërsa vijojnë verifikimet për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë
Finalizohet si rezultat i bashkëpunimit të strukturave të DVP Tiranë me Drejtorinë e Hetimit të Krimeve në DPPSh, operacioni policor i koduar “Outlet”.
Goditet një rast i kontrabandimit në Shqipëri, të mallrave të dyshuara të vjedhura në Greqi.
Zbulohet dhe bllokohet dyqani në Yzberisht, ku shiteshin mallrat (veshjet) e kontrabanduara.
Vihet në pranga administratorja e dyqanit.
Vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Seksioni i Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimet në Volum në DPPSh, si rezultat i administrimit të informacioneve të siguruara për një rast të kontrabandës së mallrave, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Outlet”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasja:
-E. K., 49 vjeçe, banuese në Tiranë.
Gjatë kontrollit në subjektin tregtar që administronte kjo shtetase, në rrugën “Demneri”, Yzberisht, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme veshjesh të ndryshme, për të cilat ajo nuk dispononte dokumentacion doganor apo fatura blerjeje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.