Sot hidhet shorti i playoff-it të Botërorit 2026, Shqipëria dhe Kosova presin me ankth fatin

Në orën 13:00, në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, do të hidhet shorti i fazës playoff të Kupës së Botës 2026. Pas kësaj faze (ndeshjet playoff luhen në mars), do të mësohen katër skuadrat e fundit europiane që do të sigurojnë biletën për turneun më të madh të futbollit botëror, i cili në verën e 2026-s do të zhvillohet në Meksikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

Në short marrin pjesë 16 kombëtare, mes të cilave edhe Shqipëria dhe Kosova. Të dyja janë vendosur në vazon 3, çka do të thotë se nuk do të ketë përplasje mes tyre, duke shmangur kështu një duel ‘vëllazëror’ në këtë fazë delikate.

Si funksionon playoff-i i UEFA-s?

Europa ka të rezervuara katër vende përmes playoff-it. Formula është si vijon:

12 ekipeve që renditen të dytat në grupet kualifikuese të UEFA-s u shtohen 4 skuadrat më të mira të Ligës së Kombeve që nuk kanë arritur të zënë vendin e parë ose të dytë në grupet e kualifikueseve. Në total 16 skuadra ndahen në katër rrugë të veçanta (A, B, C dhe D).

Çdo rrugë përbëhet nga gjysmëfinalet dhe finalja e saj. Fituesi i secilës rrugë siguron një vend në Botërorin 2026. Shqipëria dhe Kosova kundërshtarin e parë (gjysmëfinale) do ta kenë nga vazoja e dytë, me të cilin do të luajnë në transfertë një ndeshje teke, ndërsa kundërshtari i finales do të përcaktohet nga rezultatet e ndeshjeve mes skuadrave të vazos së parë me ato të vazos së katërt.

Vazot e shortit sipas renditjes së FIFA-s

Vazo 1: Italia, Danimarka, Turqia, Ukraina

Vazo 2: Polonia, Uellsi, Çekia, Sllovakia

Vazo 3: Irlanda, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova

Vazo 4: Rumania, Suedia, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut

Shqipëria dhe Kosova presin të mësojnë kundërshtarët e tyre, ndërsa emocionet janë të mëdha: rruga drejt Botërorit varet nga dy ndeshje të vetme, ku çdo gabim mund të jetë fatal, por çdo sukses mund të shndërrohet në histori. Tani sytë janë të gjithë nga Nyoni, aty ku sot nis edhe një herë ëndrra e madhe.