‘Përplasja’ diplomatike për komentet në Belém, ligjvënësja gjermane i kërkon Merz t’i kërkojë falje Brazilit
Kancelarit gjerman Friedrich Merz i është kërkuar të kërkojë falje, për komentet që bëri në lidhje me qytetin pritës në Konferencën e OKB-së për Klimën në Brazil.
Në një letër drejtuar kancelarit, ligjvënësja e Partisë së Gjelbër gjermane Lisa Badum - e cila po merr pjesë në konferencë - shprehu keqardhje për vërejtjet e Merz, gjatë vizitës së tij në Belém. Ajo tha se i është dashur të kërkojë falje vazhdimisht në bisedat me vendasit. Ajo shtoi se komentet e Merz, nuk pasqyrojnë Gjermaninë që ajo dëshiron të përfaqësojë.
Merz kishte udhëtuar për në Belém për një samit dy javë më parë, përpara negociatave vjetore për klimën. Me kthimin e tij në Berlin, kancelari tha se i kishte pyetur gazetarët që e shoqëronin, nëse ndonjëri prej tyre donte të qëndronte në qytet.
"Askush nuk e ngriti dorën", tha Merz. Ai argumentoi se gazetarët ishin "të lumtur" që u kthyen në Gjermani, të cilën e përshkroi si "një nga vendet më të bukura në botë".
Deklarata shkaktoi zemëratë në Brazil, përfshirë edhe nga Presidenti Luiz Inácio Lula da Silva.
Lula tha se Merz duhej të kishte shkuar në një bar në Belém, të kishte kërcyer dhe të kishte provuar kuzhinën vendase.
«Atëherë ai do ta kishte kuptuar se Berlini nuk i ofron as 10% të cilësisë që ofrojnë shteti i Pará-s dhe qyteti i Belém-it», akuzoi Lula.
Badum, e cila është gjithashtu zëdhënëse e Partisë së Gjelbër për politikat klimatike, i kërkoi Merz t'i kërkojë falje Silvës dhe popullit të Belémit.
Ajo gjithashtu i bëri thirrje atij të bashkëpunonte me organizatorët brazilianë për të siguruar një konferencë të suksesshme, duke thënë se kriza klimatike kërkonte solidaritet dhe bashkëpunim ndërkombëtar në vend të arrogancës mendjengushtë./ DPA News.