Këmbët e një kampioni, historia e dhimbshme e Zambrotta-s, sakrificë që vazhdon edhe sot
Ka ditë kur trupi të vendos përballë realitetit të vet, pa asnjë lloj mëshire. Ditë kur nuk ka si t’i ikësh dhimbjes, as kujtimeve që ajo sjell. Ditë kur duhet të përballesh me të, thjesht për të vijuar jetën normalisht.
Pikërisht një e tillë ishte dita e djeshme për Gianluca Zambrotta-n. Ish-kampioni i botës është detyruar të futet sërish në sallën e operacionit, duke nisur një tjetër etapë të gjatë dhe të lodhshme, një rrugëtim që nuk ka të bëjë më vetëm me sportin, por me vetë mbijetesën e trupit të tij.
Prej kohësh Zambrotta ka folur hapur për dramën e tij fizike. Me një sinqeritet të rrallë ai rrëfente: “Jam operuar tri herë te menisqet e brendshme. Nuk i kam më, as në të djathtën, as në të majtën. Këmbët më janë deformuar… Jam kthyer në një rast studimi. Mjekët më shikojnë dhe habiten se si arrij akoma të ec”.
Vitet kanë bërë të vetën: mungesa e menisqeve, gjenetika e pafavorshme dhe, mbase, sinjale të shpërfillura për shumë kohë e kanë përkeqësuar gjendjen. Tre a katër specialistë që e kanë vizituar janë habitur njëlloj, të gjithë të një mendimi se si ai ka mundur të luante, të stërvitej dhe madje të shijonte ende padelin.
Tani ka ardhur radha e ndërhyrjes më delikate: osteotomia. Një proces i vështirë ku këmbët duhen rregulluar duke prerë kocka dhe duke vendosur pllaka, vetëm e vetëm për të shtyrë sa të jetë e mundur momentin e protezës totale. Një zgjidhje e përkohshme, sepse fundi është i shkruar: proteza nuk do të shmanget, është vetëm çështje vitesh.
Por një gjë nuk ka ndryshuar kurrë: forca e tij. Zambrotta nuk është dorëzuar as në ditët e lavdisë si futbollist, nuk po dorëzohet as sot përballë bisturisë. As nesër nuk do të dorëzohet. Ky operacion është thjesht një kapitull tjetër në luftën e tij të gjatë.
Forca, Gianluca, shembull i vërtetë i guximit dhe qëndrueshmërisë!