Gjirokastër/ Mungesa e energjisë elektrike vijon të mbetet problem në Memaliaj, Libohovë dhe Dropull

Në qarkun e Gjirokastrës, gjatë orëve të natës nuk janë evidentuar probleme madhore nga reshjet e shiut. Situata paraqitet kryesisht e qetë në të gjashta bashkitë e tjera, ndërsa në Libohovë është raportuar bllokimi i rrugës Suhë–Pogon për shkak të rrëzimit të një këmbë ure.

Liqeni i Viroit ka arritur nivelin maksimal, por pa shkaktuar dalje uji në rrugë apo situata problematike. Të gjitha rrugët kryesore dhe dytësore janë të aksesueshme, ndërsa përroi i Çullos në Gjirokastër është aktivizuar pa krijuar rrezik.

Në disa zona rurale janë shënuar rrëshqitje dheu, por me ndërhyrjen e ekipeve të emergjencave situata është normalizuar.

Problematika kryesore mbetet mungesa e energjisë elektrike në disa zona rurale të bashkive Memaliaj, Libohovë dhe Dropull, ku po vijon puna për rikthimin e furnizimit.