VIDEO/ Klosi–Kovaçi, kushurinjtë që Rama i ‘qerasi’ me leje ndërtimi për hotel në Durrës

Po aq i dyshimtë është edhe lulëzimi i kësaj kompanie, pasi Genti Klosi bëhet pronar i vetëm i Vils Feliz. Ndërsa deri dje rezultonte me detyrime të prapambetura, në vitin 2022 kompania njeh një bum financiar, duke trefishuar xhiron — të paktën kështu deklarohej në Tatimet e drejtuara nga vëllai, Ceno Klosi. Për vitin 2022 kjo kompani në fushën e restoracionit deklaron 630.000 euro xhiro dhe 200.000 euro fitim. Për vitin 2023 kompania deklaron 660.000 euro xhiro dhe 230.000 euro fitim.

Por nuk ndalet këtu: Genti Klosi, nga një lokal modest, shndërrohet në pronar të një restoranti luksoz, e tashmë do të kalojë në një tjetër nivel — si investitor në bregdet, një investim miliona euro, ku në lojë do të hyjnë edhe personazhe të tjerë.

Në vitin 2022 kompania T.O.V shpk e Gent Klosit, së bashku me Petrit Kovaçin dhe Ushina shpk në kuota të barabarta, themelojnë “Adriatik Union”. Sipas të dhënave të bilancit, kjo kompani që nga themelimi zotëron një tokë dhe ndërtesë në vlerën 760.000 euro. Nuk dihet sesi dhe nga kush është blerë kjo pronë — këtë i mbetet ta verifikojë SPAK, pasi edhe në këtë rast për familjen Klosi, pronat “mbijnë nga hiçi”.

Në vitin 2023 largohet ortaku Ushina dhe tashmë aksioner mbeten Petrit Kovaçi dhe Genti Klosi, kushërinj mes tyre. Sapo Ushina largohet, për Adriatik Union, kryeministri Edi Rama miraton një leje ndërtimi për një hotel 9 kate mbi tokë dhe 2 kate parkim nëntokë, në buzë të detit Adriatik.

Në nëntor të vitit 2023, pasi mediat filluan të denoncojnë këtë leje ndërtimi për hotelin e Petrit Kovaçit, babait të Drejtorit të Ujësjellësit Durrës, Spartak Kovaçi, dhe Genti Klosit, vëllait të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ky i fundit largohet nga kompania. Në këtë moment regjistrohet edhe një tjetër transaksion i dyshimtë nga vëllai i ish-Drejtorit të Tatimeve: një kompani që zotëron 760 mijë euro prona dhe një leje ndërtimi për një hotel 9-katësh buzë deti në Durrës, Genti Klosi ia shet për vetëm 500 euro aksionet takuese.

Ajo që ngre dyshime të mëtejshme janë të dhënat e pronës në lejen e ndërtimit të miratuar nga Rama, në të cilën përcaktohet se sipërfaqja totale e truallit është 1104.5 m², nga të cilat 183 m² janë shtet.