Hijet e pasurimit të Ceno Klosit dhe familjarëve të tij, ‘prestanomet’ që lidhin fijet e korrupsionit

Ceno Klosi është një nga yjet në ngjitje të Rilindjes së Edi Ramës, ku sot karriera e tij politike kulmon me uljen në karriget e Kuvendit të Shqipërisë.

Emri i tij nisi të lakohej për herë të parë për publikun e gjerë në vitin 2021, kur si i besuari i Belinda Ballukut, u gradua në Drejtorinë e Tatimeve — periudhë e cila u shoqërua me dritë-hijet e saj, e jo pak skandale të denoncuara nga mediat.

Ndërsa mbajti një profil publik të ulët, dhe pa spikatje për një ambicie të mëvonshme politike, Ceno Klosi u shqua për manovrat financiare, që siç janë provuar tashmë, rezultuan më tepër produktive në aspektin personal e familjar, sesa në shërbim të detyrave që ka mbajtur.

Deputeti më i ri i Partisë Socialiste “rilindi” në vitin 2013, kur do të kalonte nga sistemi privat në atë shtetëror. Për 7 vite radhazi ai mbajti detyrën e Drejtorit Financiar në OSHEE dhe më pas për disa muaj ka drejtuar AKUM pas largimit të Alqi Bllakos. Për 3 vite Ceno Klosi drejtoi Tatimet, derisa në vitin 2024 Belinda Balluku do ta merrte pranë si zv.Ministër të Infrastrukturës dhe Energjisë, për t’u parapërgatitur për zgjedhjet e 11 majit.

Emisioni “Plug” denoncoi pak muaj më parë se si Ceno Klosi, me marrjen e detyrës, ndërtoi edhe një perandori financiare, duke përdorur të afërmit e tij, të cilët fillimisht u punësuan në shtet dhe befas u shndërruan në biznesmenë të suksesshëm e përfitues të fondeve dhe lejeve nga shteti.

Që prej marrjes së detyrës së parë në vitin 2013, Ceno Klosi nisi forcimin e pozitave të tij edhe familjare, me punësime nepotike. Ndërsa ishte drejtor në OSHEE, Klosi u kujdes të punësonte si specialiste tregu kunatën e tij, shtetasen Eriselda Shehaj, bashkëshorten e vëllait, Genti Klosit. Por jo vetëm kaq — ai do të sigurohej që edhe motra e kunatës të mos mbetej pa punë. Matilda Merdanaj u punësua gjithashtu pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Adela Koçaj, gjithashtu kunata e Cenos, u punësua si drejtoreshë pranë Agjencisë Ekonomike Mbështetëse, një institucion i krijuar në vitin 2018 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërsa punësimi i radhës do të ishte tezja, Donika Klima, e cila rezulton e punësuar pranë FSHU.

Në këndvështrimin e parë, gjithkush mund ta justifikonte këtë valë emërimesh nepotike me argumentin se familjarët e drejtuesve nuk janë të përjashtuar nga punësimi në shtet. Por jo — nuk është vetëm kaq. Familjarët e punësuar falë influencës së Ceno Klosit, me rritjen e tij në karrierë, do të shndërroheshin gjithashtu në biznesmenë të suksesshëm, duke plotësuar kështu panoramën e privatizimit “de facto” të disa prej drejtorive më të rëndësishme, nga ku më pas do të merrnin miliona euro. Nga rrogëtarë, familjarët e Klosit, gjatë pushtetit të Rilindjes, do të lulëzonin si biznesmenë.

Në vitin 2022 Adela Koçaj, kunata, dhe Edita Klosi, motra, themelojnë kompaninë FIPROP me objekt kryerjen e studimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Si administratore vendosin Eriselda Shehajn, nusen e vëllait të Cenos. Kompania e 3 rrogëtareve, që në vitin e parë të themelimit garanton një xhiro prej 280 mijë eurosh, nga të cilat 94 mijë euro neto deklarohen si fitim.

Jo vetëm gratë e familjes, por sukses duket se ka pasur edhe Genti Klosi, vëllai i zëvendësministrit të Belinda Ballukut. Në vitin 2017, Genti Klosi regjistron një bar-kafe me të ardhura modeste. Por gjërat do të ndryshonin shpejt për Gentin, i cili sot mund të konsiderohet si një nga biznesmenët më të suksesshëm — e çdo gjë e arritur në një kohë rekord.

Në vitin 2019 në QKB regjistrohet kompania T.O.V 2019 me ortakë Orgest Totojanin dhe Vera Musmuçën. Kjo e fundit largohet si pronare vetëm 4 muaj më vonë dhe çuditërisht figuron e punësuar si operatore në Call Center.