Lirohen të gjithë të ndaluarit për komplotin e vrasjeje e prokurorit të Brukselit: Nuk ka të dhëna të forta

Tetë personat e arrestuar të martën në kuadër të hetimit për kërcënimet ndaj prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, janë liruar të gjithë. Sipas Prokurorisë Federale të Belgjikës, ‘nuk ka indicie të mjaftueshme dhe serioze për t’i mbajtur nën masë arresti’.

Në fillim të korrikut u bë e ditur se prokurori i Brukselit ishte vendosur nën mbrojtje të përhershme të policisë. Në ambientet e gjykatave qarkullonin zëra se nga qarqe të botës së drogës ishte vendosur një çmim mbi kokën e Moinilit.

Klani shqiptar

Gjatë aksionit të së martës u kryen 18 kontrolle në banesa në Leuven dhe Bruksel, ku u arrestuan tetë persona. Sipas Prokurorisë Federale, të dyshuarit kryesorë kanë një të kaluar të njohur për trafik të organizuar droge dhe mendohet se janë aktivë në rrethin kriminal shqiptar.

Burime mediatike belge raportojnë se të arrestuarit janë pjesë e klanit V., një familje me origjinë shqiptare, e njohur për aktivitet në kontrabandën e drogës dhe e vendosur prej vitesh në Bruksel. Në vitin 2020, kur Moinil punonte në Prokurorinë Federale kundër krimit të organizuar, ai kishte çuar para gjykatës anëtarë të këtij klani duke bërë të mundur dënimin e tyre.

Vendimi i gjyqtarit dhe vazhdimi i hetimit

Të mërkurën, të tetë të dyshuarit u paraqitën para gjyqtarit hetues, i cili vendosi lirimin e tyre. ‘Aktualisht nuk ka të dhëna të mjaftueshme që justifikojnë mbajtjen e tyre nën arrest,’ deklaroi Prokuroria Federale.

Hetimi vazhdon, përfshirë analizën e objekteve të sekuestruara gjatë aksionit. Autoritetet belge thonë se për momentin nuk mund të jepen detaje të tjera për shkak të fazës së hershme të procedurës.