SYRI TV/ Iu përmbyt banesa, kryefamiljaria rrëfen tmerrin
Një ditë më parë, si pasojë e vërshimit të madh të ujit, një familje prej 7 anëtarësh u evakuua në fshatin Zejmen në Lezhë. Ata tashmë janë akomoduar në konviktin e qytetit, ndërsa kryefamiljarja tregon orët e tmerrit. Ndërkohë situata në qarkun Lezhë, sa i përket reshjeve vijon të jetë e rënduar, duke krijuar problematika të mëdha, sidomos në bashkinë Mirditë
Syri TV
Reshjet e dendura të nisur përpara 48 orësh, detyruan një familje me 7 anëtarë të evakuohen gjatë së martës, në fshatin Zejmen, pasi banesa e tyre u përmbyt plotësisht nga vërshimi i dy përrenjve malorë. Të tronditur, ata tregojnë momentin kur uji i furishëm hyri me shpejtësi brenda në shtëpi.
Familja aktualisht është strehuar në konviktin e qytetit, ku stafi u ka dalë në ndihmë me çdo gjë të nevojshme. Drejtoresha e institucionit thotë se janë angazhuar maksimalisht që t’u krijojnë kushte sa më të mira.
Ndërkohë situata e krijuar nga moti i keq në qarkun e Lezhës vijon të mbetet problematike. Edhe pse uji është tërhequr nga pjesa më e madhe e zonave të përmbytura, pasojat janë të konsiderueshme, sidomos në Njësitë Administrative Mamurras dhe Milot në Kurbin.
Ndërkohë, reshjet intensive gjatë natës kanë shkaktuar probleme serioze edhe në Bashkinë Mirditë. Në Njësinë Administrative Fan, dy fshatra janë bllokuar plotësisht nga shembjet. Janë raportuar gjithashtu dëmtime të disa urave pasarelë, ndërsa fshatrat Shëngjin dhe Klos rezultojnë të izoluar totalisht. Probleme të ngjashme paraqiten edhe në Njësinë Administrative Kurbnesh, ku rruga kryesore që lidh zonën me Lurën është bllokuar. Situatë e rënduar raportohet gjithashtu në Orosh dhe Kaçinar. Ndërkohë, në Njësinë Administrative Rrëshen është shembur ura që lidh fshatin Jezull me rrugën kryesore, duke e bërë të pamundur lëvizjen në këtë aks.
Banorët e këtyre zonave kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për të zhbllokuar rrugët dhe për t’u ardhur në ndihmë atyre.