Shqipëria në prag të krizës/ Muçollari: Paratë e pista po shkatërrojnë ekonominë vendase

Diskutimi i buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm në Parlament është shndërruar në një arenë ku korrupsioni zë vendin qendror, duke lënë në hije vetë dokumentin më të rëndësishëm financiar të vendit. Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari, në një intervistë në Syri TV, tha se Shqipëria ndodhet në pragun e një krize të thellë financiare dhe ekonomike, e ushqyer nga një ekonomi e deformuar prej parave me origjinë të dyshimtë, një realitet që buxheti i propozuar nga qeveria jo vetëm që nuk e adreson, por duket se e injoron plotësisht.

Në një analizë të thelluar, ai theksoi se buxheti aktual është tërësisht i shkëputur nga realiteti i qytetarëve. Ai nuk parashikon rritje domethënëse për sektorë jetikë si arsimi dhe shëndetësia dhe nuk reflekton nevojat urgjente të popullsisë, siç është rritja e pagës minimale në përputhje me koston e lartë të jetesës.

Grigels Muçollari: Në fakt duket sikur buxheti e ka humbur rëndësinë, po them pas aferave kaq të mëdhaja korruptive, duket sikur është e kot të diskutosh për buxhetin dhe për zërat se ku destinohen të themi në letër të dërgohen paratë, dhe sepse në fund të ditës do të shkojnë drejt aferave korruptive. Por që gjithsesi prapë unë e konsideroj shumë të domosdoshëm diskutimin, qoftë dhe parimor mbi buxhetin, që lidhet edhe me përqasjen e qeverisë apo programin e saj qeveritar.

Dhe edhe po të diskutosh buxhetin në thelb, sheh problematika shumë të mëdhaja, të cilat për fat të keq janë jashtë realitetit dhe nuk po kuptohet se cila është gjendja shqiptare. Sheh një buxhet që nuk ka një rritje përsa i përket zërit në arsim, sheh një buxhet i cili nuk ka një reflektim përsa i përket mjekësisë. Sheh një buxhet që nuk sheh një reflektim përsa i përket pagës minimale, që lidhet me çmimet e larta, me ekonominë, që do të thotë që edhe në letër, por dhe në përqasjen apo në arrogancën e qeverisë se si do ta trajtojë një buxhet, sheh një qeveri tashmë të shkëputur nga realiteti dhe përtej kësaj, sheh një qeveri që nuk po e ndjen aspak krizën në të cilën pritet të futet Shqipëria. Ne nuk e dimë, jemi shumë afër një krize shumë të fortë financiare, ekonomike.

Bazuar në disa faktorë. Të bazuar në disa faktorë. E para, janë të gjithë treguesit që tregojnë që ne kemi të bëjmë me një narko-shtet dhe jo me një shtet të bazuar mbi ekonominë e tregut dhe bazuar mbi vlerën e parasë apo vlerën e kërkesave të tregut mbi produkte të caktuara. Shohim një raport të deficitit tregtar, gjithmonë në rritje. Çdo tre muaj që kalon në disa vite rresht ka një përkeqësim raporti i importeve me eksportet, që do të thotë për shikuesit e thjeshtë, gjithmonë e më shumë Shqipëria ka nevojë për euro dhe gjithmonë e më pak ka nevojë tregu shqiptar për lekë.

Që do të thotë që ky lloj shkëmbimi financiar që ti duhet të duash euro në mënyrë që të blesh produkte të cilat janë prodhuar jashtë vendit tënd, dhe gjithmonë e më shumë prodhohen më pak produkte nga vendi yt për drejt vendeve të tjera, do të thotë që këtu euro do të ishte në një nivel të ndryshëm në raport me lekun. Ajo çfarë ka ndodhur, ajo çfarë po vazhdon të ndodhë, sheh një treg të deformuar. E cila ndodh patjetër nga paratë të cilat vijnë në kanale jo zyrtare.